Siria kërkon që SHBA të paguajë kompensim për naftën ‘e vjedhur’

Bota

Siria kërkon që SHBA të paguajë kompensim për naftën ‘e vjedhur’

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 17:19
Foto ilustrim

Siria ka dërguar sot një letër në OKB ku kërkon të Shtetet e Bashkuara të paguajnë dëmshpërblim për naftën e marrë nga vendi dhe për shkelje të ligjit ndërkombëtar me hyrjen e ushtrisë në vend pa leje.

Agjencia shtetërore siriane SANA, publikonte në një artikull letrën e dërguar nga ministria e jashtme për sekretarin e përgjithshëm Antonio Guterres, si dhe për Shqipërinë, e cila mban presidencën rotacionale të Këshillit të Sigurimit në muajin shtator.

Në letër diplomatët sirianë nxisin OKB t’i japë fund shkeljeve të ligjit ndërkombëtar nga SHBA, me stacionimin e trupave ushtarake në verilindje dhe juglindje të Sirisë.

Minsitria siriane shtonte se SHBA dhe grupe të tjera po dëmtoojnë vendin e tyre duke marrë burime me vlerë, kosto e të cilave ka arritur në $115.2 miliardë nga viti 2011 deri në 2023.

Në mbyllje letra bën thirrje që liderët amerikanë të mbajnë përgjegjësi dhe që administrata e SHBA të detyrohet t’i kompensojë për dëmin.

Ministria siriane kërkon që ushtria e SHBA të largohet nga vendi dhe të kthejë kontrollin e naftës e gazit te qeveria e Sirisë.

Gjenerali Mark Milley, ka thënë kohët e fundit se SHBA do të qëndrojë në Lindjen e Mesme përfshi dhe Sirinë, pasi janë të shqetësuar se grupe si ISIS mund të dëmtojnë interesat e tyre, përfshi dhe naftën.

Konflikti i rëndë i Sirisë ka nisur prej vitit 2011 pas protestave kundër presidentit Bashar Assad, që më pas u shndërrua në një konflikt ndërkombëtar me ndërhyrje nga SHBA, Izraeli, dhe Rusia e Irani në krahun e presidentit Assad.

Rreth 400 000 njerëz kanë humbur jetën në konflikt dhe miliona të tjerë janë larguar nga vendi si refugjate.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat