Metodat ruse të torturimit në pjesët e pushtuara të Ukrainës, kanë qenë aq brutale sa që i kanë shkaktuar vdekjen disa viktimave, ka thënë sot kreu i një komisionit hetimor të OKB-së.
Erik Mose, kryetar i Komisionit Hetimor për Ukrainën, i tha Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, se ekipi i tij “mblodhi prova të mëtejshme që tregojnë se torturat nga forcat e armatosura ruse në zonat nën kontrollin e tyre ishin të përhapur dhe sistematike”.
“Në disa raste tortura ishte aq brutale saqë shkaktoi vdekjen e viktimës”, tha ai.
Komisioni i Moses vizitoi pjesë të Ukrainës që më parë mbaheshin nga forcat ruse, si rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia.
U zbulua se torturat kryheshin kryesisht në qendrat e paraburgimit të kontrolluara nga autoritetet ruse.
Komisioni tha më parë se veprimet e forcave ruse në Ukrainë, përfshirë torturën, mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit.
Rusia mohon kryerjen e krimeve apo shënjestrimin e civilëve në Ukrainë. Moskës iu dha një mundësi për t’iu përgjigjur akuzave në seancën dëgjimore të komisionit, por asnjë përfaqësues rus nuk u paraqit.