Norvegjia, e cila kryeson grupin e donatorëve për Palestinën, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mërkurën të ruajë ndihmën e saj financiare për palestinezët pas ofensivës së nisur nga Hamasi kundër Izraelit.
“Situata do të përkeqësohet më tej nëse komuniteti ndërkombëtar pezullon ose redukton ndihmën e tij në këtë kohë kritike”, tha kreu i saj i diplomacisë, Anniken Huitfeldt, në një e-mail për agjencinë e lajmeve AFP.
Pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit të shtunën, disa vende si Gjermania, Suedia dhe Danimarka njoftuan një pezullim të ndihmës së tyre për zhvillim – por jo ndihmën e tyre humanitare – për palestinezët.
“Si kryetare e Grupit Ndërkombëtar të Donatorëve, Norvegjia inkurajon komunitetin ndërkombëtar që të vazhdojë ndihmën e saj financiare për popullin palestinez”, tha Huitfeldt.
“Kjo përfshin mbështetjen për autoritetin palestinez të kanalizuar përmes Bankës Botërore, ndihmën përmes organizatave ndërkombëtare si agjencitë e OKB-së dhe mbështetjen për organizatat humanitare dhe shoqërinë civile izraelite”, shtoi ajo.
Norvegjia, nga ana e saj, po ruan ndihmën e saj, ndërkohë që “shqyrton vazhdimisht qëndrueshmërinë e vazhdimit të projekteve në zhvillim” në Rripin e Gazës, i cili po bombardohet nga ushtria izraelite.
“Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se ndonjë ndihmë financiare nga Norvegjia ka përfituar nga Hamasi apo grupe të lidhura”, tha ministri.