LIVE: “Lufta do të intensifikohet” - Publikohen pamjet, luftëtarët e Hamasit duke u përleshur me trupat izraelite brenda Gazës

Bota

LIVE: “Lufta do të intensifikohet” - Publikohen pamjet, luftëtarët e Hamasit duke u përleshur me trupat izraelite brenda Gazës

Nga: BOTA SOT Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 06:21 Përditësuar në ora: 21:37 më 01.11.2023
Pmaje nga luftimet

Hamasi publikon video që tregon luftëtarët e saj duke u përleshur me IDF brenda Gazës

Nga: A.Sh

Hamasi ka publikuar pamjet që supozohet se tregojnë luftëtarët e saj duke u përleshur me trupat izraelite në Gaza.

Sky News nuk ka qenë në gjendje të verifikojë vendndodhjen dhe datën e pamjeve, por Hamasi pretendon se është filmuar në lindje të Zeitun.

Pamje mund t'i shikoni KËTU

 

Izraeli qëllon në objektiva në Liban, thotë IDF

Nga: A.Sh

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se kanë qëlluar mbi objektiva në Libanin jugor pasi një "celulë terroriste u përpoq të lëshonte raketa antitank" nga territori.

Ai tha se një tank i IDF-së "goditi qelinë" dhe "terroristët hapën zjarr" drejt rajonit Yiftah në veri të Izraelit.

"Nuk u raportua për të lënduar. IDF po përgjigjet me zjarr në drejtim të origjinës së të shtënave," tha ajo.

Ushtria izraelite dhe militantët në Liban shkëmbejnë rregullisht zjarr, por ka pasur një rritje të përleshjeve që kur Hamasi filloi sulmin e tij më 7 tetor.

Hezbollahu, i cili është një grup i armatosur i mbështetur nga Irani, i ngjashëm me Hamasin, dominon Libanin jugor dhe është një armik i njohur i Izraelit.

IDF nuk specifikoi nëse Hezbollahu ishte përgjegjës për sulmin.

Shfaqet lideri politik i Hamasit – ka një mesazh për Izraelin dhe ‘për ata që qëndrojnë pas tij’ – tregon ‘vizionin për zgjidhjen e krizës’

Lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh tha se dështimi i Izraelit në konfliktin aktual ka pasoja të rënda dhe do t’i kushtojë shtrenjtë, duke përfshirë jetën e disa prej të burgosurve të tij të mbajtur nga grupi.

Në fjalimin e tij të mërkurën, Haniyeh shtoi: “Ne i themi armikut dhe atyre që qëndrojnë pas tij se përpjekjet tuaja të mjerueshme për të mbuluar dështimin tuaj duke kryer masakra brutale kundër civilëve të pafajshëm me gjithë poshtërsinë tuaj, nuk do t’ju shpëtojnë nga disfata”.

“Ju u mundët në 7 tetorin e lavdishëm dhe këtu po pengoheni në hyrjen tuaj në tokë që keni nisur përballë heronjve tanë trima dhe popullit tonë të pambrojtur”, citohet të ketë thënë ai, shkruajnë mediat e huaja..

Ai deklaroi se ajo që do të publikohet për numrin e humbjeve izraelite në luftë “do të tronditë pushtuesin”.

Ai e përfundoi deklaratën e tij duke përcjellë një mesazh për komunitetin ndërkombëtar dhe rajonin, duke thënë: “Këtu i paralajmërojmë përsëri se Netanyahu nuk ka asnjë problem për t’i vënë zjarrin tokave të gjelbra dhe të thata në rajon dhe më gjerë për të mbrojtur veten dhe ekstremistët rreth tij”.

Haniyeh theksoi se lëvizja paraqiti një vizion gjithëpërfshirës që “fillon me ndalimin e agresionit kriminal, hapjen e pikave kufitare dhe përfundimin e një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve dhe përfundon me hapjen e rrugës politike për krijimin e shtetit të pavarur palestinez me kryeqytetin e tij, Jerusalemin dhe të drejtën për vetëvendosje”.

“Por Netanyahu po e zvarrit dhe po mashtron audiencën e tij me premtime të rreme që ne nuk do ta lejojmë t’i përmbushë”, ka shtuar ai.

Më shumë se 10,300 njerëz janë vrarë që nga fillimi i konfliktit të fundit, duke përfshirë të paktën 8,796 palestinezë dhe më shumë se 1,538 izraelitë.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe shpërnguljeve, furnizimet bazë po mbarojnë për 2.3 milionë njerëz në Gaza për shkak të rrethimit izraelit.

A e pushtoi Izraeli Gazën? Ushtria nuk është e qartë

Gjatë gjashtë ditëve të fundit, forcat tokësore izraelite kanë hyrë thellë në Gazë në luftën e tyre kundër Hamasit, që u shpall si përgjigje ndaj sulmeve të përgjakshme të 7 tetorit mbi Izraelin, të kryer nga grupi militant islamik.

Një grup në rritje njësish, duke përfshirë forcat detare, ajrore dhe tokësore, i janë bashkuar përpjekjes. Ushtria izraelite tha se ka vrarë dhjetëra militantë dhe ka dëmtuar rrjetin strategjik të tuneleve të Hamasit. Ushtarët janë vendosur në shtëpitë e braktisura palestineze dhe kanë ngritur pozicionet e tyre.

Edhe pse operacioni po zgjerohet çdo ditë, ushtria izraelite refuzon që ta quajë pushtim.

Përdorimi i fjalëve të paqarta për këtë temë është më shumë se sa një çështje semantike. Duket se është një strategji e qëllimshme që synon të mbajë armikun jashtë balancës dhe të ruajë opsionet e tij teksa zhvillohet lufta e gjatë.

Në këtë tekst mund të mësoni më shumë se çfarë po bën Izraeli brenda Gazës.

A është pushtim?

Në kuptimin e mirë të fjalës një pushtim izraelit duket se është duke ndodhur.

Trupat tokësore kanë lëvizur brenda territorit të armikut dhe po operojnë vazhdimisht atje që nga e premtja e kaluar. Përderisa ushtria ka dhënë vetëm pak detaje specifike për operacionet e saj, ajo ka pranuar se tanket, artileria, këmbësoria, buldozerët dhe forcat speciale po marrin pjesë në të. Operacioni, sipas ushtrisë, po mbështetet nga sulmet ajrore.

Ushtria ka qenë e paqartë lidhur me vendndodhjen apo madhësinë e trupave që ka dërguar në Gazë. Por, në njoftimet e saj është sugjeruar se mijëra trupa u janë bashkuar përpjekjeve dhe numri i tyre duket se po rritet dita-ditës.

Palestinezët kanë përdorur gjuhë më të fortë, duke iu referuar bombardimeve izraelite me terma sikurse “masakër” dhe “gjenocid”. Ofensiva që po vazhdon deri më tani ka vrarë më shumë se 8.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që udhëhiqet nga Hamasi. Po ashtu, mijëra ndërtesa janë shkatërruar.

Si e quan ushtria?

Ushtria refuzon që të thotë se e ka pushtuar Gazën, duke iu referuar aktiviteteve të saj si “bastisje” dhe “operacione”.

Kjo bën që situata të jetë fluide, përderisa numri i trupave ndryshon dhe tash për tash, Izraeli po shmang që të sulmojë Hamasin me numër të madh ushtarësh dhe fuqi të madhe të zjarrit.

Këto taktika duket se synojnë të nxisin konfuzion te Hamasi dhe të lënë të hapura mundësi të reja për aksione të mëtejme. Megjithatë, Izraeli e ka bërë të qartë se do të mbajë prani brenda Gazës gjatë periudhës së ardhshme.

Gjatë fundjavës, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu, thanë se operacioni ka hyrë në një fazë të re.

“Ne jemi në një fazë të re të luftës”, tha Gallant. “Toka në Gazë po dridhet. Operacioni do të vazhdojë deri në një urdhër të ri”.

Gjatë vizitës që u bëri trupave të martën, Gallant shtoi:

“Ne po dislokojmë forca në shkallë të madhe në thellësi të Gazës”.

Cili është plani?

Izraeli i ka vendosur vetes dy qëllime: kthimin e të gjitha pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit, grupit militant të armatosur që ka mijëra luftëtarë, raketa, bomba, raketa kundërtanke dhe mbështetje të rëndësishme të publikut.

Zëdhënësi i shefit të ushtrisë, admirali Daniel Hagari, vazhdimisht i referohet një plani metodik për të përmbushur këto qëllime, edhe pse ai nuk e quan këtë pushtim.

“Operacionet tona sulmuese do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen sipas planit”, tha ai të martën, më 31 tetor.

Amir Avivi, gjeneral në pension dhe ish-zëvendëskomandant i divizionit të ushtrisë për Gazën, tha se terminologjia e paqartë që përdor ushtria është e qëllimshme. “Ata nuk duan që armiku të dijë se çfarë po bëjnë”, tha ai.

Por, Avivi, i cili tani udhëheq Forumin për Mbrojtje dhe Siguri të Izraelit – një grup i përbërë nga ish-komandantët ushtarakë – tha se është e qartë se çfarë duhet të bëhet që të përmbushen këto qëllime.

“Ka vetëm një mënyrë për që të bëhet kjo. Ata duhet ta pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës dhe të kalojnë muaj e muaj të tërë duke çmontuar të gjitha aftësitë”, tha ai. “Çfarë ka lidhje se çfarë thotë ushtria”.

Dhjetëra persona hyjnë në pikëkalimin Rafah që lidh Gazën me Egjiptin

Dhjetëra persona kanë hyrë në pikëkalimin kufitar Rafah më 1 nëntor, që lidh Gazën me Egjiptin.

Kjo duket se është hera e parë që qytetarët që kanë pasaporta të huaja janë lejuar që të largohen nga territori i rrethuar që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, pasi grupi militant palestinez kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor.

Në javën e fundit, qindra persona u mblodhën në këtë pikëkalim, por nuk u lejuan që të kalonin për shkak të mospajtimeve mes Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit. Askush nuk është lejuar që të largohet nga Gaza, përveç katër pengjeve të liruara nga Hamasi. Edhe një peng u shpëtua nga forcat izraelite më herët gjatë kësaj jave.

Media shtetërore egjiptiane raportoi se mbi 80 palestinezë të plagosur do të shkojnë nga Gaza në Egjipt të mërkurën për trajtim mjekësor. Autoambulancat janë parë duke hyrë në pikëkalimin kufitar në Rafah nga ana egjiptiane, ndërkaq spitale fushore janë ngritur në qytetin e afërt kufitar Sheik Zuveid.

Autoritetet kufitare palestineze thanë se mbi 400 posedues të pasaportave të huaja do të lejohen që të largohen nga Gaza më 1 nëntor.

Egjipti ka thënë se nuk do të pranojë një fluks refugjatësh palestinezë, nga frika se Izraeli nuk do të lejojë që ata të kthehen në Gazë pasi të përfundojë lufta.

Gaza është rrethuar që nga nisja e luftës, duke bërë që furnizimet me ushqim, ujë, ilaçe dhe karburante të jenë të pakta. Izraeli ka lejuar grupet ndërkombëtare të ndihmës të dërgojnë mbi 200 kamionë me ndihmë humanitare gjatë dhjetë ditëve të fundit, por punëtorët e ndihmës kanë thënë se kjo sasi është e pamjaftueshme.

Mbi 8.500 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, shumica gra dhe të mitur, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazë të martën, pa bërë dallim në mesin e civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.

Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të Hamasit. Militantët po ashtu kanë rrëmbyer afër 240 persona.

Hamasi pretendon se do të lirojë disa pengje në ditët në vijim

Hamasi do të lirojë disa shtetas të huaj që po i mbajnë peng në ditët në vijim, sipas një zëdhënësi të organizatës.

Disa vende kanë ndërhyrë përmes ndërmjetësve për të liruar disa të arrestuar të shtetasve të huaj në Gaza,” tha Abu Obeida, një zëdhënës i Brigadave Qassam, shkruan CNN.

Kemi marrë kërkesat e këtyre vendeve”, tha ai pa përmendur vendet. “Prandaj, ne i kemi informuar ndërmjetësuesit se do të lirojmë një numër të të huajve në ditët në vijim”, shtoi ai.

Obeida nuk dha detaje të mëtejshme mbi kombësitë dhe numrin e pengjeve që Hamasi pretendoi se do të lirojë.

Duke iu drejtuar njoftimit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit se kishte shpëtuar një ushtare femër të IDF nga robëria e Hamasit të hënën, zëdhënësi i Hamasit tha se asnjë nga të burgosurit që mban grupi nuk ishte shpëtuar dhe sugjeroi se ushtarja mund të ishte mbajtur rob nga një tjetër. grup përveç Hamasit.

Izraeli kryen sulme ajrore ndaj Hezbollahut në Liban

Ushtria izraelite tha të martën se kishte kryer sulme ajrore në Liban duke synuar Hezbollahun, një aleat i Hamasit.

Aeroplanët luftarakë sulmuan së fundmi infrastrukturën e organizatës terroriste Hezbollah në territorin e Libanit”, shkroi ushtria në X, shkruajnë mediat e huaja.

“Në mesin e infrastrukturës së sulmuar, armët, pozicionet dhe vendet e përdorura nga organizata u shkatërruan”, është thënë më tej.

Tensionet po rriten në kufirin Izrael-Liban, duke nxitur frikën se luftimet aktuale mund të përhapen në rajon.

Shpërthimi në kampin e refugjatëve në Gaza, hapet pikëkalimi për të plagosurit që do shkojnë për t’u kuruar në Egjipt

Pikëkalimi i Rafah, në kufi me Egjiptin do të hapet nesër për të plagosurit në Rripin e Gazës që mund të kurohen në vendin fqinj.

Mësohet se vetëm 81 të lënduar do mund të shkojnë për në Egjipt për t’u kuruar.

“Kalimi tokësor i Rafahut midis Gazës dhe Egjiptit do të jetë i hapur nesër për një numër të plagosurish që do të largohen për të përfunduar trajtimin e tyre në spitalet egjiptiane”, tha Wael Abu Omar, një drejtor mediash në vendkalim.

Një ditë më parë Gjysmëhëna e kuqe Palestineze njoftoi se pika e Rafah ishte hapur për kalimin e 26 kamioneve, të cilët transportonin veshje, ushqim, ilaçe, por deri më tani Izraeli nuk kam lejuar që të kalojë asnjë pikë karburant.

Familjet e viktimave në Izrael i kërkojnë Gjykatës Penale Ndërkombëtare të hetojë sulmin e Hamasit

Familjet e viktimave të sulmit të 7 tetorit të Hamasit në Izrael i kanë kërkuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) që të fillojë hetimet mbi vrasjet dhe rrëmbimet, pavarësisht kundërshtimit të Izraelit ndaj Gjykatës.

Avokati ndërkombëtar me seli në Tel Aviv, Yael Vias Gvirsman, i cili përfaqëson familjet e më shumë se 34 viktimave të sulmeve të Hamasit, përfshirë pengjet, personat e zhdukur dhe të vrarë, paraqiti pranë prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare një dosje në bazë të nenit 15. Izraeli nuk është vend anëtar i gjykatës me seli në Hagë dhe refuzon ta njohë juridiksionin e saj.

Kërkesa e avokatit Yael Vias Gvirsman i kërkon prokurorit Karim Khan që të përqendrojë hetimet e tij tek veprimet e Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor, përfshirë zhdukjet me forcë, të cilat gjykata i sheh si një krim kundër njerëzimit.

“Hamasi thuajse më vrau të gjithë familjen e ngushtë. Beteja ime është për të sjellë drejtësi”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters përmes mesazheve me tekst të ndara nga avokati i saj zonja Galit, vajza 12-vjeçare dhe nëna 80-vjeçare e së cilës u vranë në sulmet e Hamasit. Ajo i është bashkuar kallëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe nuk donte të jepte emrin e plotë për arsye të privatësisë.

Zyra e prokurorit konfirmoi për agjencinë e lajmeve Reuters se e kishte marrë dosjen dhe se të dhënat po shqyrtoheshin.

Gjykatën Penale Ndërkombëtare tashmë po heton për çdo krim të supozuar brenda juridiksionit të saj të kryer në territorin palestinez dhe akuzat për krime palestineze në territorin izraelit.

Propozimi i Dhomës së Përfaqësuesve për ndihmën për Izraelin përballet me kundërshtime në Senat

Senatorë nga të dy partitë politike shprehën dyshime të martën në lidhje me planin e Dhomës së Përfaqësuesve, të kontrolluar nga republikanët, për të ofruar 14.3 miliardë dollarë ndihma për Izraelin, duke shkurtuar fondet për agjencinë amerikane të taksave (IRS), pa ofruar ndihmë për Ukrainën.

Pas marrjes së drejtimit të Dhomës së Përfaqësuesve nga ligjvënësi republikan Mike Johnson, nisma e parë legjislative madhore të hënën vë theksin vetëm tek ndihma për Izraelin.

Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh ku përfshihet ndihma për Izraelin dhe Ukrainën si dhe fonde për të rritur konkurrencën me Kinën në rajonin e Azi-Paqësorit, si dhe sigurinë përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Republikanët kanë një epërsi të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa demokratët kontrollojnë Senatin. Që të bëhet ligj, një projektpropozim duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Biden.

Demokratët thonë se projektpropozimi i republikanëve nuk do të shqyrtohet në Senat edhe nëse merr miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Përfundimi është se nuk është një propozim serioz”, tha për gazetarët udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer. Senatori Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës republikane në Senat tha se të katër çështjet duhet të trajtohen.

“Ne duhet t'i trajtojmë të katër këto çështje, Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe kufirin”, tha për shtypin zoti McConnell.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, u takua të martën me zotin Johnson pas një seance dëgjimore në Senat.

Zoti Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dëshmuan në Senat se Ukraina kishte nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për të fituar luftën kundër agresorit rus.

Zoti Blinken tha për shtypin se: “Ishte një takim shumë i mirë. Unë e vlerësoj mundësinë”, duke komentuar lidhur me takimin me zotin Johnson.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se ata kishin diskutuar çështje ku përfshihej edhe kërkesa e Presidentit Biden për mbështetje për Ukrainën dhe Izraelin. Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët pritet ta miratojë këtë javë projektpropozimin për Izraelin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat