Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se është "i tmerruar" për shkak të sulmit që Izraeli ka kryer ndaj spitalit "Al-Shifa" në Gaza, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Zyra për media e OKB-së thuhet se Guterres ka reaguar ndaj sulmit të kryer ndaj spitalit "Al-Shifa" në Gaza.
"Jam i tmerruar nga lajmi për sulmin ndaj autokolonës së ambulancës para spitalit 'Al-Shifa' në Gaza. Pamjet e trupave të shpërndarë në rrugë jashtë spitalit të thyejnë zemrën", u shpreh Guterres.
Duke vënë në dukje se prej rreth një muaji civilët në Gaza, përfshirë fëmijë dhe gra janë vrarë duke u rrethuar, shtëpitë e tyre janë bombarduar dhe ndihmat janë penguar, Guterres tha se "Tashmë kjo duhet të ndalet".
Pasi bëri të ditur se situata humanitare në Gaza është "e tmerrshme", se i gjithë populli po përjeton traumë dhe se asnjë vend nuk është i sigurt, kreu i OKB-së përsëriti thirrjen e tij për armëpushim humanitar.
Ai përsëriti se duhet të respektohet ligji humanitar ndërkombëtar. Guterres tha se vendet me ndikim duhet të bëjnë përpjekje për të siguruar respektimin e ligjit të luftës dhe parandalimin e përhapjes së konfliktit në mënyrë që të përfshijë të gjithë rajonin.
Rikujtohet se 13 persona humbën jetën dhe 26 të tjerë u plagosën në sulmin që ushtria izraelite kreu dje duke shënjestruar ambulancat në hyrje të spitalit "Al-Shifa".
Organizata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq deklaroi se sulmet e kryera ndaj pacientëve dhe ambulancave në afërsi të spitalit "Al-Shifa" janë të tmerrshme dhe se pamjet janë të papranueshme.