LIVE: Tanket izraelite lëvizin nëpër kufirin e Gazës - Izraeli thotë se Hamasi humb kontrollin e Gazës veriore

Bota

LIVE: Tanket izraelite lëvizin nëpër kufirin e Gazës - Izraeli thotë se Hamasi humb kontrollin e Gazës veriore

Nga: BOTA SOT Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 06:20 Përditësuar në ora: 09:24 më 08.11.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Përshpejtohet evakuimi nga Gaza pas rihapjes së pikëkalimit Rafah

Numri i njerëz që u larguan nga Rripi i Gazës përmes Egjiptit u rrit të martën, një ditë pasi pikëkalimi Rafah u rihap.

Së paku 500 njerëz, shumica të huaj apo shtetas me dyshtetësi kaluan përmes Rafahut, pikëkalimit të vetëm që nuk është në kufi me Izraelin, sipas burime të sigurisë egjiptiane, raporton Associated Press.

Evakuimi përmes këtij pikëkalimi ishte pezulluar të shtunën dhe të dielën, pasi një ambulancë që po shkonte drejt Rafahut u godit nga një sulm ajror izraelit.

Burimet e sigurisë egjiptiane thanë se Egjipti po e vazhdon trysnin për rritjen e ndihmave dhe karburantit, si dhe të sigurisë për ambulancat në Rripin e Gazës.

Ministria e Jashtme e Jordanisë tha se 262 jordanezë u evakuuan të martën, nga 569 të tillë sa kishin ngecur në Gazë pas shpërthimit të luftimeve atje.

Kanadaja tha se 59 qytetarë të saj, banorë të përhershëm dhe familjarë, u evakuuan.

Po ashtu, 19 banorë të Gazës që kishin nevojë për mjekim u lejuan ta kalojnë kufirin. Ata iu bashkuan dhjetëra të tjerëve që janë duke u mjekuar nëpër spitalet e Egjiptit.

Vendet e tjera shtetasit e të cilëve morën dritën jeshile për t’u larguar nga Gaza të martën ishin, Rumania, Gjermania, Moldavia, Ukraina, Filipinet dhe Franca, sipas autoriteteve kufitare të Gazës.

Shtëpia e Bardhë e paralajmëron Izraelin, hedh poshtë idenë e Netanyahut

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se nuk beson se forcat e Izraelit duhet ta riokupojnë Gazan, pas komenteve të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se vendi do ta ketë “përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme” në Gaza për “një periudhë të pacaktuar” pasi lufta të përfundojë.

“Presidenti beson se riokupimi i Gazas nga forcat izraelite nuk është i mirë. Nuk është mirë për Izraelin; s’është mirë për popullit e Izraelit”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby për CNN.

“Një nga bisedat që sekretari Blinken ka pasur në rajon është se si do duket Gaza pas konfliktit? Si duket qeverisja në Gaza? Sepse çfarëdo që të jetë, nuk mund të jetë ajo që ishte më 6 tetor. Nuk mund të jetë Hamasi”, ka shtuar ai.

Paralajmërimi i Shtëpisë së Bardhë vjen pasi Netanyahu ka thënë se Gaza duhet të qeveriset “nga ata që nuk duan ta vazhdojnë rrugën e Hamasit”, para se të shtonte “Mendoj se Izraeli do ta bëjë, për një periudhë të pacaktuar, do ta ketë përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme sepse e kemi parë çfarë ndodhë kur nuk e kemi”.

Ka qenë një nga shenjat e para që Netanyahu ka dhënë për vizionin e tij për një Gaza pas lufte.

Atentat ndaj presidentit të Palestinës, këto janë dyshimet e para

Presidenti i Palestinës, Abu Mazen është sulmuar ditën e sotme nga një grup njerëzish të armatosur.

Sipas mediave të huaja, një nga rojet u vra, duke shtuar se nuk dihet nëse Abu Mazen është plagosur apo jo.

Dyshohet se sulmi erdhi pasi Abbas u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor të dielën për të diskutuar gjendjen e vështirë të palestinezëve në Gaza mes refuzimit të Izraelit për të ndalur sulmet ushtarake.

Sulmi pretendohet se është bërë nga grupi i quajtur “Bijtë e Abu Jandal” të lidhur me Hamasin, por Fatah, partia që qeveris PNA, e mohon këtë.

Sulmeve të armatosura në Gaza nuk i shpëtojnë as ndihmat e Kryqit të Kuq, dëmtohen dy kamionë

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) deklaroi se dy kamionë u dëmtuan dhe një shofer u plagos ndërsa u përpoq të dërgonte ndihma humanitare në qytetin e Gazës sot.

KNKK thotë se një kolonë prej pesë kamionësh dhe dy automjetesh të tjera ishin në rrugë për të dërguar “furnizime mjekësore shpëtimtare në objektet shëndetësore”, duke përfshirë spitalin Al-Quds të Shoqatës Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe, kur u “godit nga zjarri”. Organizata humanitare nuk ishte në gjendje të identifikonte menjëherë burimin e zjarrit.

Ajo shtoi se kamionët ndryshuan rrugën e saj pas aksidentit, për t’u siguruar që ishte në gjendje të dërgonte me sukses furnizimet mjekësore në spitalin Al-Shifa. Karvani më vonë shoqëroi gjashtë ambulanca që transportonin pacientë të plagosur rëndë në vendkalimin Rafah, por kreu i KNKK theksoi se dhënia e ndihmës gjatë luftës, është bërë e vështirë.

Këto nuk janë kushtet në të cilat personeli humanitar mund të punojë,” tha William Schomburg, i cili kryeson nën-delegacionin e KNKK-së në Gaza.

Sigurimi që ndihma jetike mund të arrijë objektet mjekësore është një detyrim ligjor sipas ligjit ndërkombëtar humanitar,” shtoi ai.

Disa fëmijë palestinezë me sëmundje të rënda dërgohen në Egjipt për trajtim

Disa fëmijë palestinezë në Gazë, që vuajnë nga kanceri, janë lejuar më 7 nëntor që të kalojnë kufirin në Rafah, për t’u trajtuar në Egjipt. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Egjiptit, 12 fëmijë janë transferuar në spitalet e specializuara për kancer. Autoritetet nuk thanë nëse fëmijët kanë udhëtuar vet apo ndonjë familjarë i ka shoqëruar ata.

Evakuimet nga Gaza ngecën të premten pas një mosmarrëveshjeje midis Izraelit, Egjiptit dhe grupit militant palestinez, Hamas. Qindra kamionë me ndihmë humanitare janë lejuar të hyjnë në Gazë nga Egjipti që nga 21 tetori. Por, punëtorët e ndihmës kanë thënë se ndihmat që po dërgohen nuk plotësojnë kërkesat e banorëve në Rripin e Gazës.

Po ashtu, në pikëkalimin në Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin, janë lejuar të kalojnë qindra persona që kanë pasaporta të huaja dhe pacientë. Që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor dhe vrau mbi 1.400 persona dhe rrëmbeu mbi 200 të tjerë, Izraeli ka rrethuar Rripin e Gazës dhe e ka sulmuar këtë territor nga ajri dhe toka.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 10.328 persona. Në njoftimin e kësaj ministrie më 7 nëntor u tha se në mesin e viktimave ishin 4.237 fëmijë dhe 25.956 të tjerë ishin plagosur që nga nisja e luftës Izrael-Hamas.

Numri i punonjësve të OKB-së të vrarë në Rripin e Gazës është rritur në 79

Numri i punonjësve të OKB-së të vrarë deri më tani në luftën e Gazës është rritur në 79, pesë prej të cilëve u vranë brenda 48 orëve, njoftoi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

Të paktën 24 punonjës të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ashtu si shumica e banorëve të tjerë, edhe punonjësit e OKB-së u zhvendosën së bashku me familjet e tyre. Ata vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për të ofruar ndihmë humanitare, tha UNRWA.

Në brezin bregdetar me popullsi të dendur, ku jetojnë rreth 2.2 milionë njerëz, situata humanitare mbetet shkatërruese. Pothuajse 1.5 milionë njerëz janë zhvendosur që nga fillimi i luftës. Gjysma e tyre mbahen në rreth 150 qendra të OKB-së. Shumica e këtyre qendrave  janë të mbipopulluara dhe pa shpresë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat