Të paktën 130 njerëz kanë vdekur në Etiopi, Kenia dhe Somali nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur, të cilat organizatat humanitare thonë se shihen një herë në njëqind vjet. Somalia mbajti peshën kryesore të përmbytjeve të shpejta që përfshiu rajonin e Bririt të Afrikës.
Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Emergjencave tha se 51 njerëz kanë vdekur dhe gjysmë milioni janë zhvendosur si rezultat i shirave që filluan të binin në tetor.
Punonjësit e urgjencës frikësohen se numri i të vdekurve është më i madh, pasi shumë persona janë ende të zhdukur.
Pjesë të vendit janë të shkëputura nga bota dhe të paarritshme, sepse rrugët dhe urat u lanë nga përrenjtë.
Ushtria filloi operacionet e shpëtimit me barka dhe helikopterë dhe Agjencia Kombëtare po kërkon ndihmë ndërkombëtare.
Grupi i ndihmës “Save the Children” tha se qyteti Beledwein në Somalinë qendrore u zhyt plotësisht pasi lumi Shabelle vërshoi, duke detyruar rreth 250.000 njerëz ose 90 për qind e popullsisë, të iknin.
Qeveria federale e Somalisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme muajin e kaluar pasi moti ekstrem, i përkeqësuar nga fenomeni natyror i motit El Niño, shkatërroi shtëpi, rrugë dhe ura.
Pas motit të fundit ekstrem, shirave të dendur që filluan në tetor, Shoqëria e Kryqit të Kuq të Kenias raportoi se qindra shtëpi në vend u shkatërruan në bregdet dhe në veri të vendit, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 50 njerëzve dhe duke zhvendosur të paktën 30.000 të tjerë.
Rrethet e Mandera, Vajir dhe lumi Tana ishin më të prekurit, dhe Mandera, 20 herë më e madhe se zona e madhe e Londrës, është një nga zonat më të varfra në Kenia.
Autoritetet etiopiane thonë se numri i të vdekurve nga përmbytjet në vend ka arritur në 30 pas "reshjeve të pamëshirshme në rajonet Gambela, Afar dhe Somali". Ato raportuan se në mesin e viktimave kishte fëmijë që u mbytën teksa po përpiqeshin t'i shpëtonin lumenjve që vërshonin.