Lëvizja vjen pasi tensionet ziejnë midis liderit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe autoriteteve izraelite për luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës.
Një gjykatë në Stamboll ka urdhëruar që 15 nga 34 personat e arrestuar nën dyshimin për spiunim për Izraelin të mbahen në burg në pritje të gjykimit, ka njoftuar ministri turk i drejtësisë.
Të dyshuarit u arrestuan të martën pasi thuhet se kishin planifikuar të kryenin aktivitete që përfshinin “zbulimin” dhe “ndjekjen, sulmin dhe rrëmbimin” e shtetasve të huaj që jetonin në Turqi.
Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc deklaroi se 26 të dyshuar u referuan në gjykatë me akuzën e kryerjes së “spiunazhit politik ose ushtarak” në emër të inteligjencës izraelite.
Njëmbëdhjetë u liruan në kushte kontrolli gjyqësor dhe tetë ishin në pritje të dëbimit, raporton euronews.
Agjencia e inteligjencës së jashtme izraelite, Mossad thuhet se ka rekrutuar palestinezë dhe shtetas sirianë brenda Turqisë si pjesë e operacionit kundër të huajve që jetojnë në Turqi.
Agjencia Anadolu citoi një dokument të prokurorisë që thoshte se operacioni kishte në shënjestër “shtetasit palestinezë dhe familjet e tyre… brenda fushës së konfliktit të vazhdueshëm izraelito-palestineze”.
Turqia dhe Izraeli i kishin normalizuar marrëdhëniet në vitin 2022 duke riemëruar ambasadorë pas viteve të tensioneve.
Megjithatë, kjo marrëdhënie u përkeqësua shpejt pas shpërthimit të luftës Izrael-Hamas, ku Ankaraja u bë një nga kritiket më të forta të veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza.
Reagimi i Erdoganit ndaj luftës Izrael-Hamas fillimisht ishte mjaft i heshtur, por udhëheqësi turk që atëherë ka intensifikuar kritikat ndaj Izraelit, duke i përshkruar veprimet në Gaza si “gjenocid”.
Lideri turk kujtojmë se ka bërë thirrje që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të ndiqet penalisht për “krime lufte” dhe e krahasoi atë me udhëheqësin nazist Adolf Hitler