LIVE: Sulmet në Detin e Kuq/ SHBA rikthen Houthin në listën e organizatave terroriste

Bota

LIVE: Sulmet në Detin e Kuq/ SHBA rikthen Houthin në listën e organizatave terroriste

Nga: BOTA SOT Më: 17 janar 2024 Në ora: 06:18 Përditësuar në ora: 19:31 më 17.01.2024
Foto ilustrim

SHBA rikthen rebelët Houthi në listën e organizatave terroriste

Administrata e Presidentit Joe Biden i riktheu rebelët Houthi, me bazë në Jemen, në listën e grupeve terroriste, thanë zyrtarët amerikanë të mërkurën. Është përpjekja e fundit e Uashingtonit për të frenuar sulmet ndaj anijeve ndërkombëtare.

Zyrtarët thanë se përcaktimi, që vendos sanksione të ashpra për grupin e lidhur me Iranin, ka për qëllim ndërprerjen e fondeve dhe armatimeve që rebelët Houthi kanë përdorur për të sulmuar ose rrëmbyer anijet në detin e Kuq.

Sulmet e rebelëve Houthi kanë ndërprerë transportin detar të mallrave në Detin e Kuq, duke nxitur shqetësimet se një përshkallëzim i luftës Izrael-Hamas mund të çojë në destabilizim të Lindjes së Mesme.

"Këto sulme paraqesin atë që përcaktohet si terrorizëm", tha një nga tre zyrtarët e administratës që informoi gazetarët në kushte anonimiteti, përpara njoftimit zyrtar.

Vendimi për ta ripërfshirë këtë grup në listën e organizatave terroriste vjen pasi avionë, anije dhe nëndetëse luftarake amerikane dhe britanike, ndërmorën javën e kaluar dhjetëra sulme kundër lëvizjes Houthi, që kontrollon pjesët më të populluara të Jemenit.

Milicia Houthi, që thotë se sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq u kryen në përgjigje të sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, ka kërcënuar me “një përgjigje të fortë dhe efektive”.

"Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë ndikimin keqdashës iranian kudo që të mundemi. Tani vendimi për t’u shkëputur nga Irani i takon lëvizjes Houthi," tha një zyrtar tjetër për agjencinë e lajmeve Reuters, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mund të shqyrtonin mundësinë për ta hequr grupin nga lista e organizatave terroriste në rast se ndërpriteshin sulmet ndaj anijeve.

GJENDJA HUMANITARE

Administrata e ish-presidentit Donald Trump futi rebelët Houthi në dy lista, duke i përcaktuar si terroristë, një ditë para përfundimit të mandatit të saj, duke nxitur Kombet e Bashkuara dhe disa ligjvënës amerikanë të shprehnin frikën se sanksionet do të shkaktonin ndërprerje të dërgimit të ushqimit, karburantit dhe mallrave të tjera në Jemen.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken hoqi grupin Houthi nga lista e organizatave terroriste në 12 shkurt të vitit 2021 për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Jemen.

Kombet e Bashkuara e cilësojnë krizën humanitare në Jemen si "të rëndë", pasi më shumë se 21 milionë njerëz, dy të tretat e popullsisë, kanë nevojë për ndihmë. OKB-ja thotë se më shumë se 80% e popullsisë përballet me vështirësi për të siguruar ushqim, për qasje ndaj ujit të pijshëm dhe shërbimit shëndetësor.

Sulmet kundër grupit Houthi në Detin e Kuq, Shtëpia e Bardhë: SHBA synon de-përshkallëzim të situatës

Këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan ka reaguar rreth sulmeve të zhvilluara nga grupi Houthis.

Sullivan thekson se SHBA synon vetëm ‘de-përshkallëzim’ të situatës.

“Ne nuk po kërkojmë një konflikt rajonal. Ne kërkojmë të ndalojmë përhapjen e konfliktit dhe të krijojmë kushtet për de-përshkallëzim”, ka thënë Sullivan në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Që nga e premtja e kaluar, amerikanët dhe britanikët kanë kryer sulme kundër rebelëve jemenas, të cilët thonë se do të sulmojnë anijet e lidhura me interesat izraelite në solidaritet me palestinezët në Gaza, ku Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar që nga 7 tetori.

Ursula von der Leyen, Antony Blinken diskutojnë për situatën në Gaza, zhvillimet në Detin e Kuq

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken diskutuan për Lindjen e Mesme , duke përfshirë situatën humanitare në Rripin e Gazës dhe zhvillimet në Detin e Kuq .

Von der Leyen shkroi në X se ajo kishte një “takim të shkëlqyer” me Blinken. “Mbështetja jonë për Ukrainën, tani dhe drejt së ardhmes së saj në BE, është e palëkundur.

Ajo tha se ata diskutuan nevojën për stabilitet në Lindjen e Mesme, rritjen e aksesit humanitar në Gaza dhe “përgatitjet për të nesërmen”.

Për më tepër, ne diskutuam situatën shqetësuese në Detin e Kuq dhe përgjigjet tona”, shtoi von der Leyen pas takimit që u zhvillua në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos , Zvicër.

Houthi-t kanë synuar anije mallrash në Detin e Kuq në pronësi ose operim të kompanive izraelite ose që transportojnë mallra drejt dhe nga Izraeli në solidaritet me Gazën, e cila ka qenë nën një sulm izraelit që nga 7 tetori.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga Hamasi për të cilin Tel Aviv tha se vrau 1200 njerëz.

Të paktën 24,285 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 61,154 janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Sipas OKB-së, 85% e popullsisë së Gazës është tashmë e zhvendosur brenda vendit për shkak të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

SHBA pritet të njoftojë rikthimin e grupit Houthi në listën e organizatave terroriste

Administrata e Presidentit Biden pritet të njoftojë planet për t'i rikthyer rebelët Houthi në listën e organizatave terroriste, tha një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ushtria amerikane ka kryer një seri sulmesh në Jemen, që në shënjestër kanë patur zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi, ku janë stacionuar sistemet e lëshimit të raketave balistike, që kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq. Sulmet e rebelëve Houthi kanë ndërprerë transportin detar të mallrave në Detin e Kuq, duke nxitur reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.

Milicia Houthi, aleate e Iranit ka kërcënuar me zgjerim të sulmeve në Detin e Kuq, duke përfshirë ato ndaj anijeve amerikane, në përgjigje të sulmeve amerikane dhe britanike ndaj pozicioneve të tyre në Jemen. Rebelët Houthi thonë se sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq u kryen në përgjigje të sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, që ka shkaktuar vrasjen e mijëra palestinezeve dhe një krizë humanitare. Sulmi i 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, në të cilin u vranë 1200 persona dhe u morën peng 240 të tjerë, shkaktoi një përgjigje të fortë ushtarake nga Izraeli.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken hoqi grupin Houthi nga lista e organizatave terroriste në shkurt të vitit 2021 për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Jemen.

Presidenti amerikan Joe Biden i quajti të premten forcat Houthi të Jemenit një grup "terrorist", pasi avionët luftarakë, anijet dhe nëndetëset amerikane dhe britanike kryen dhjetëra sulme ajrore në të gjithë Jemenin.

Udhëheqësit e grupit Houthi kanë kërcënuar se do të jetë një "përgjigje të fortë dhe efektive"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat