LIVE: Deklarohen rebelët Houthi, tregojnë qëllimin e sulmeve/ Borrell ka disa fjalë për luftën në Gaza – ja detajet!

Bota

LIVE: Deklarohen rebelët Houthi, tregojnë qëllimin e sulmeve/ Borrell ka disa fjalë për luftën në Gaza – ja detajet!

Nga: Bota sot Më: 19 janar 2024 Në ora: 08:36 Përditësuar në ora: 08:49 më 19.01.2024
Rebelët Houthi

Retorika nxitëse izraelite kundër palestinezëve, në qendër të rastit për gjenocid

Luftimi “i kafshëve njerëzore”. Shndërrimi i Gazës “në një kasaphane”. “Zhdukja e Rripit të Gazës nga faqja e dheut”.

Retorika e tillë nxitëse është komponent kyç i rastit të Afrikës së Jugut, e cila në Gjykatën Botërore të Kombeve të Bashkuara po e akuzon Izraelin për gjenocid, akuzë që Izraeli e mohon. Afrika e Jugut thotë se gjuha – e përdorur gjatë deklaratave të udhëheqësve izraelitë, ushtarëve dhe personaliteteve të tjera lidhur me palestinezët në Gazë që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit – është dëshmi e qëllimit të Izraelit për të kryer gjenocid.

Udhëheqësit izraelitë kanë minimizuar deklaratat, dhe disa në Izrael thonë se deklarata të tilla janë rezultat i traumës nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Netanyahu thotë se nuk pajtohet me SHBA-në për krijimin e një shteti palestinez

Kryeministri Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës ose të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez pasi të mbarojë lufta. Ky refuzim i tij shkaktoi menjëherë kritika nga Shtëpia e Bardhë.

Tensionet për këto çështje reflektuan një përçarje të madhe mes dy aleatëve lidhur me madhësinë e luftës së Izraelit dhe planet e tij për të ardhmen e territorit të rrethuar.

“Ne sigurisht e shohim këtë ndryshe”, tha zëdhënësi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Deklarata e Netanyahut më 18 janar erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli nuk mund të ketë asnjëherë “siguri të mirëfilltë” pa një rrugë drejt pavarësisë palestineze. Më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë po ashtu ka thënë se është “koha e duhur” që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij shkatërruese në Gazë.

Gjatë një konference për media, Netanyahu shprehu një qëndrim të ndryshëm nga Uashingtoni. Ai vazhdimisht deklaroi se Izraeli nuk do të ndalë ofensivën derisa të përmbushë qëllimet e tij për të shkatërruar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe të kthejë në shtëpi pengjet që po mbahen nga grupi radikal palestinez.

Ai hodhi poshtë pretendimet në rritje nga kritikët izraelitë se këto qëllime nuk janë të arritshme, duke u zotuar se do të shtyjë përpara ofensivën për muaj të tërë.

“Ne nuk do të pajtohemi me asgjë tjetër përpos fitores absolute”, tha Netanyahu.

Izraeli nisi ofensivën pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur luftëtarët e grupit vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 250 të tjerë. Afër 130 pengje Izraeli beson se ende janë nën robërimin e Hamasit. Lufta ka rritur tensionet në mbarë rajonin, duke kërcënuar nxitjen e konflikteve të tjera.

Sulmi i Izraelit, një prej fushatave ushtarake më vdekjeprurësve dhe më shkatërruese në historinë moderne, ka lënë të vrarë pothuajse 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë. Ofensiva izraelite po ashtu ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe mbi 80 për qind e popullsisë së territorit me 2.3 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Kostoja e madhe e luftës ka çuar në intensifikimin e thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që Izraeli të ndalë ofensivën. Aleatja kryesore e Izraelit, SHBA-ja, ka nisur të shprehë mospajtime dhe i ka bërë thirrje Netanyahut që të tregojë vizionin e tij për Gazën e pasluftës.

SHBA-ja ka thënë se Autoriteti Palestinez, që njihet ndërkombëtarisht dhe që qeverisë në zonat gjysmë-autonome në Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli, duhet të “rigjallërohet” dhe të kthehet në Gazë. Hamasi kishte rrëzuar nga pushteti Autoritetin Palestinez në Gazë më 2007.

SHBA-ja po ashtu ka bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave drejt krijimit të një shteti palestinez. Palestinezët kërkojnë që Gaza, Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor të jenë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm. Këto zona ishin pushtuar nga Izraeli më 1967.

Gjatë forumit ekonomik në Davos, të mërkurën Blinken tha se zgjidhje me dy shtete është mënyra më e mirë për të mbrojtur Izraelin, për të bashkuar vendet e moderuara arabe dhe për izoluar armikun e përbetuar të Izraelit, Iranin.

Pa “një rrugë drejt një shteti palestinez”, tha ai, Izraeli nuk do të ketë “siguri të mirëfilltë”.

Netanyahu, që udhëheqë një Qeveri të ekstremit të djathtë dhe që një kohë të gjatë kundërshton shtetësinë palestineze, vazhdimisht ka kundërshtuar zgjidhjen me dy shtete. Ai tha se një shtet palestinez do të bëhej vend për nisjen e sulmeve ndaj Izraelit.

Ai tha se Izraeli “duhet të ketë kontrollin e sigurisë mbi gjithë territorin në perëndim të lumit Jordan”, duke shtuar se “kjo bie ndesh me idenë e sovraniteti. Çfarë mund të bëjmë ne?”.

“Këtë të vërtetë ua them miqve tanë amerikanë dhe kam frenuar përpjekjen për të na detyruar në një realitet që do të rrezikonte shtetin e Izraelit”, tha ai.

Deklaratat e tij nxitën reagimin e menjëhershëm nga Shtëpia e Bardhë.

Kirby tha se presidenti amerikan, Joe Biden, nuk “do të ndalojë së punuar” drejt zgjidhjes me dy shtete.

Zëdhënësi i Houthi-t: Sulmet në Jemen nga ShBA dhe Britania, akt i vazhdueshëm agresioni që synon mbrojtjen e Izraelit

Zëdhënësi i Houthi-ve, Mohammad Abdul Salam, i përshkroi sulmet në Jemen nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe si një “akt i vazhdueshëm agresioni” që synon mbrojtjen e Izraelit.

Abdul Salam theksoi se Houthi- nuk do të pengohen nga nisja e sulmeve ndaj atyre që ai pretendon se janë anije “të lidhura me Izraelin”, shkruan CNN.

Sipas Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, SHBA kryeu dje më shumë sulme kundër Houthis në Jemen.

Ajo synoi një numër të vogël raketash kundër anijeve që po përgatiteshin të lëshonin.

Houth thotë se sulmuan anijen amerikane në Gjirin e Adenit

Grupi Houth i Jemenit pretenduan se kanë shënjestruar një anije amerikane në Gjirin e Adenit me raketa detare.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi ushtarak i grupit.

Ai tha se sulmi rezultoi në “goditje të drejtpërdrejta”, shkruan Sky News.

“Forcat e armatosura të Jemenit konfirmojnë se një hakmarrje ndaj sulmeve amerikane dhe britanike është e pashmangshme dhe se çdo agresion i ri nuk do të mbetet i pandëshkuar”, thuhet në deklaratë.

Houthi premton kalim të sigurt për anijet ruse dhe kineze në Detin e Kuq

Rebelët Houthi do të sigurojnë kalim të sigurt për anijet kineze dhe ruse në Detin e Kuq, derisa sulmet po vazhdojnë kundër anijeve tregtare si hakmarrje për luftën e Izraelit në Gaza, tha një zëdhënës i militantëve të mbështetur nga Irani për mediat ruse të enjten.

Në një intervistë me gazetën pro-Kremlinit Izvestia, zyrtari i lartë i Houthit, Mohammed al-Bukhaiti tha se militantët me bazë në Jemen do të sulmonin vetëm anijet e lidhura me Izraelin dhe aleatët e tij.

“Si për të gjitha vendet e tjera, përfshirë Rusinë dhe Kinën, transporti i tyre në rajon nuk kërcënohet”, tha ai. “Për më tepër, ne jemi të gatshëm të sigurojmë kalimin e sigurt të anijeve të tyre në Detin e Kuq, sepse liria e lundrimit luan një rol të rëndësishëm për vendin tonë”.

Houthit hodhën raketa në një tjetër anije tregtare në pronësi të ShBA-së të enjten, vetëm disa orë pas një raundi të ri të sulmeve ushtarake amerikane kundër grupit në Jemen.

“Anijet izraelite ose ato që lidhen në çfarëdo mënyre me Izraelin nuk do të kenë mundësinë më të vogël për të lundruar nëpër Detin e Kuq”, tha Bukhaiti për gazetën ruse. “Sulmet ndaj tyre do të vazhdojnë”.

Shtatë të vdekur nga sulmi izraelit pranë spitalit al-Shifa

Një sulm ajror izraelit në një bllok apartamentesh pranë spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës ka vrarë shtatë persona.

Paoshtu ai ka plagosur disa të tjerë, raportojnë mediat lokale.

Spitali ka qenë mezi funksional që nga mesi i nëntorit, kur u rrethua nga forcat izraelite.

Kështu njoftoi Al Jazeera.

Sot protestohet në shtatë vende, kërkohet armëpushim në Gaza

Sot gjatë ditës janë planifikuar protesta në mbarë botën, për të bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Lufta në Gaza ka hyrë në muajin e katërt dhe deri më tani janë regjistruar mbi 20 mijë viktima.

Protestat dhe demonstratat pritet të zhvillohen në:

Jemen

Irak

Jordani

Gjermani

Mauritani

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Kanada

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat