Komisioneri i Përgjithshëm Philippe Lazzarini i Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinez në Lindjen e Afërt (UNRWA), thotë se është i tronditur nga akuzat që anëtarët e stafit të tij morën pjesë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit, ndërsa vendimin e disa vendeve për të pezulluar fondet për UNRWA-n e quajti “tronditëse” dhe u kërkoi atyre ta shqyrtojnë.
Ai tha se UNRWA-ja ofron ushqim dhe kujdes shëndetësor në strehimore për më shumë se një milion njerëz në enklavën e rrethuar.
Tutje ai theksoi se shumë njerëz janë të uritur, dhe varen nga mbështetja e tyre, raporton CNN.
“Jetët e njerëzve në Gaza varen nga kjo mbështetje dhe po ashtu edhe stabiliteti rajonal”.
Nëntë vende kanë njoftuar se do të tërheqin përkohësisht fondet nga UNRWA pasi agjencia njoftoi se kishte pushuar punonjësit që dyshohet se ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023, tha Lazzarini.
Qeveria izraelite nuk ka lëshuar detaje të provave në lidhje me përfshirjen e supozuar të UNRWA.
Lazzarini tha se autoriteti më i lartë hetimor i OKB-së ka ndërmarrë tashmë veprime dhe një rishikim i pavarur nga ekspertë të jashtëm është në pritje.