Kandaja do të rifillojë të ndihmojë njerëzit në Gaza, përmes agjencisë kryesore të OKB-së në Gaza.
Kjo pasi organizata ngriti “procese të rëndësishme” për të adresuar akuzat që disa nga punonjësit e saj ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit të 7 tetorit.
Kanadaja ishte ndër një mori vendesh që tërhoqi fondet pas pretendimeve.
“Sot, Ahmed Hussen, Ministri i Zhvillimit Ndërkombëtar, njoftoi se Kanadaja do të heqë pauzën e përkohshme të financimit për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA)”, tha qeveria kanadeze.
Qeveria tha se “përgëzon rishikimin e pavarur të UNRWA-s që po zhvillohet aktualisht”, raporton CNN.
Ajo shtoi se “OKB-ja ka vendosur disa procese të rëndësishme për të adresuar akuzat dhe për të përforcuar tolerancën e saj zero për terrorin brenda OKB-së, duke përfshirë UNRWA-n”.
Kanadaja tha se po rifillon fondet në mënyrë që të mund të bëhet më shumë për t’iu përgjigjur nevojave urgjente të civilëve palestinezë.
“Kanadaja është thellësisht e shqetësuar nga situata katastrofike humanitare në Gaza, e cila po përkeqësohet nga ora në orë. Ndihma duhet të arrijë tek civilët sa më shpejt të jetë e mundur”, shtohet në deklaratë.
Hussen nuk tha se kur saktësisht do të rifillonte financimi.
Juliette Touma, drejtoresha e komunikimit e UNRWA, përshëndeti vendimin e Kanadasë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që kanë pezulluar fondet të rishqyrtojnë.
Duke folur gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të hënën, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini tha se 16 vende ndaluan fondet pavarësisht “natyrës së pabazuar të akuzave”.
UNRWA ka paralajmëruar se po përballet me një krizë financiare.