Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy hodhi poshtë thirrjet e Papa Françeksut për bisedime me Rusinë, ndërkohë që ministri i jashtëm i Ukrainës tha se vendi i tij kurrë nuk do të kapitullojë.
“Kur ligësia ruse filloi këtë luftë më 24 shkurt, të gjithë ukrainasit u ngritën për t’u mbrojtur. Të gjithë të krishterët, myslimanët, hebrenjtë, të gjithë. Falënderoj të gjithë përfaqësuesit fetarë ukrainas me ushtrinë, me forcat e mbrojtjes, në vijë të frontit, që mbrojnë jetën dhe njerëzimin. Na mbështesin me lutje, me fjalë, me vepra. Kjo është domethënia e kishës për njerëzit. Jo 2,500 kilometra larg, duke ndërmjetësuar nga distanca ndërmjet dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që synon të të shkatërrojë,” tha zoti Zelenskyy.
Ndërkohë Kremlini deklaroi të hënën se thirrja e Papa Françeskut për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është mjaft e arsyeshme dhe se Rusia është e gatshme të ulet për të biseduar, por se Kievi po hedh poshtë bisedimet për shkak të përshtypjes së gabuar se Perëndimi mund ta mposhtë Rusinë.
“Është mjaft e arsyeshme që ai (Papa) foli në favor të negociatave,” deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Fatkeqësisht, të dyja deklaratat – të papës dhe ato të përsëritura të palëve tjera – përfshirë tonat, së fundi janë përballur me refuzim të ashpër.”
Zëdhënësi rus Peskov tha se situata në fushëbetejë tregon se shpresat e Perëndimit për t’i shkaktuar “disfatë strategjike” Rusisë ishin të gabuara.
“Ky është keqkuptimi më i thellë, gabimi më i thellë, dhe rrjedha e ngjarjeve, sidomos në fushëbetejë, është prova më e qartë,” tha ai.
Papa Françesku deklaroi në një intervistë për një media zvicerane se Ukraina duhet të ketë, siç e quajti ai guximin, të ngrejë “flamurit të bardhë” dhe të negociojë përfundimin e luftës me Rusinë, dy vjet pas sulmit në shkallë të gjerë të Moskës që la dhjetëra mijëra të vdekur.
Papa Françesku i bëri këto komente gjatë një interviste me televizionin zviceran RSI gjatë fundjavës, pasi u pyet për qëndrimin e tij ndaj debatit mes atyre që thonë se Ukraina duhet të dorëzohet meqë nuk ka arritur t’i zmbrapsë forcat ruse dhe atyre që thonë se po ta bënte një gjë të tillë do të legjitimonte veprimet e palës më të fuqishme.
Intervistuesi përdori fjalët “flamur i bardhë” në pyetjen e parashtruar.
“Është njëri prej interpretimeve, është e vërtetë,” deklaroi Papa, sipas kopjes së intervistës të transkriptuar dhe një pjese të xhirimit që iu dha agjencisë së lajmeve Reuters të shtunën. Intervista e plotë do të transmetohet me 20 mars si pjesë e një programi kulturor.
“Por mendoj se më i fuqishmi është (interpretimi) që merr parasysh situatën, mendon për njerëzit dhe ka guximin për të ngritur flamurin e bardhë, dhe negocion,” deklaroi Papa Françesku, duke shtuar se bisedimet duhet të mbahen me ndihmën e fuqive ndërkombëtare.
Deklaratat e tij u bën disa javë para propozimit që Presidenti turk Tajip Erdogan bëri të premten për organizimin e një takim ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës.
Presidenti turk bëri këtë propozim pas takimit në Stamboll me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy, i cili tha se ndonëse dëshiron paqe ai nuk pranon të japë territor.
“Të negociosh është veprim i guximshëm. Kur e sheh se je i mundur, se gjërat nuk po shkojnë mirë, duhet ta kesh guximin për të negociuar,” sipas tij.
Mendohet se kjo është hera e parë që Papa Françesku ka përdorur fjalët “flamur i bardhë” apo “disfatë” gjatë diskutimit të luftës së Ukrainës, ndonëse në të kaluarën ai ka folur për nevojën për bisedime.
Zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni tha përmes një njoftimi se Papa përdori fjalët “flamur i bardhë” si intervistuesi, duke i përdorur ato në kontekstin “e ndalimit të luftimeve dhe armëpushimit të arritur përmes guximit për të negociuar.”
Vitin e kaluar Papa 87 vjeç dërgoi një të dërguar për paqe, Kardinalin italian Matteo Zuppi në Kiev, Moskë dhe Uashington për të kuptuar qëndrimet e udhëheqësve të këtyre vendeve.
“Dikush mund të vendoset në pozitë,” tha Papa për negociatat, “por sa do të vdesin për shkak të luftës? Duhet negociuar me kohë, të kërkohet një shtet që mund të bëhet ndërmjetës,” deklaroi Papa Françesku, duke përmendur Turqinë si njëri nga vendet që ka ofruar ndërmjetësim.
“Mos u ndje i turpëruar që të pranosh të bësh negociata para se gjërat të bëhen më keq,” deklaroi Papa, i cili ka bërë qindra thirrje për atë që e quan “Ukrainë të martirizuar.” I pyetur nëse është i gatshëm të ndërmjetësojë, Papa Françesku u përgjigj: “Këtu jam.”
Në një pjesë tjetër të intervistës, ndërsa fliste për luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, Papa tha: “Negocimi kurrë nuk është dorëzim.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg po ashtu shprehu kundërshtimin e tij me deklaratat e Papës.
Ai tha se “nëse dëshirojmë një zgjidhje të negociuar paqësore të qëndrueshme mënyra për të arritur aty është t’i ofrojmë përkrahje ushtarake Ukrainës.”
Sekretari Stoltenberg tha se “ajo që ndodh në tryezën e bisedimeve është e pandashme nga forca në fushëbetejë.”
“Nuk është koha për të folur për dorëzimin e ukrainasve. Do të ishte tragjike për ta dhe shumë e rrezikshme për të gjithë ne,” deklaroi ai.
Ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shkroi në platformën X se një njeri i qëndrueshëm në cilindo kontest “duhet të qëndrojë pranë anës së drejtë e jo të provojë t’i barazojë palët dhe t’i quajë ‘negociata’.”
“Flamuri ynë është i verdhë dhe i kaltër,” shkroi zoti Kuleba duke iu referuar flamurit të Ukrainës. “Ky është flamuri krah të cilit jetojmë, vdesim dhe triumfojmë. Kurrë nuk do të valojmë flamuj të tjerë.”/VOA