LIVE: Vullnetarët rusë që mbështesin Ukrainën befasojnë me paralajmërimin - Putin afër “fitores së madhe”!

Bota

LIVE: Vullnetarët rusë që mbështesin Ukrainën befasojnë me paralajmërimin - Putin afër “fitores së madhe”!

Nga: Bota sot Më: 17 mars 2024 Në ora: 06:56 Përditësuar në ora: 23:50 më 17.03.2024
Vladimir Putin

Ukraina thotë se Rusia sulmoi rajonet kufitare pasi rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve e tregojnë Putinin si fitues

Ukraina raportoi dhjetëra sulme nga Rusia pranë kufirit të tyre të përbashkët të dielën, pasi rezultatet e pjesshme treguan se presidenti Vladimir Putin fitoi rizgjedhjen me diferencën më të madhe që nga koha sovjetike.

Ndërkohë Moska ka akuzuar Kievin për sabotim zgjedhor me sulme disaditore në infrastrukturën ruse, një nga operacionet ajrore më gjithëpërfshirëse në territorin rus që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës dy vjet më parë.

Në rajonin Belgorod të Rusisë më herët në ditën e fundit të votimit, guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se granatimet ukrainase vranë një person dhe plagosën 11 të tjerë. Ai tha se një vajzë 16-vjeçare ishte vrarë në rajonin kufitar pasi një predhë ukrainase i vuri flakën shtëpisë së saj më herët gjatë ditës.

Administrata ushtarake në rajonin Sumy të Ukrainës raportoi 60 incidente të bombardimeve të territoreve dhe vendbanimeve kufitare.

Ai tha gjithashtu se qyteti i Konotop pësoi një sulm me raketë, por nuk u raportua për të lënduar, shkruan Reuters.

Rezultatet preliminare thonë se Putini i fitoi gati 88% të votave, pasi opozita u shtyp

Rusia i ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale në të cilat opozita u shtyp, duke thënë se lideri autoritar Vladimir Putin i ka fituar gati 88 për qind të votave.

Putini do ta zgjasë sundimin gati një çerekshekull për edhe gjashtë vjet të tjera, pas një lufte të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve dhe mospajtuesve.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë tha se, sipas rezultateve preliminare, Putini i ka fituar gati 88 për qind të votave.

Sipas exit poll-it FOM, Putini i ka fituar 87.8 për qind të votave, ndërsa sipas Qendrës Hulumtuese Publike të Rusisë (VCIOM), Putini i ka fituar 87 për qind të votave.

Votimi më 17 mars, në ditën e fundit të zgjedhjeve treditore, u mbajt praktikisht pa asnjë kundërshtarë për Putinin, por nën sulme raketore dhe me dronë nga Ukraina.

Zgjedhjet u mbajtën edhe në Gadishullin e Krimesë, që Rusia e aneksoi jashtëligjshëm më 2014, në disa rajone ukrainase të pushtuar nga forcat ruse gjatë pushtimit të plotë që nisi më 2022, si dhe nëpër ambasadat ruse në botë.

Qytetarë të shumtë rusë u rreshtuan pranë qendrave të votimit nëpër gjithë Rusinë në kohë për aksionin “Mesdita kundër Putinit”.

Një numër i madh i rusëve, të cilët nuk duan që Putini të vazhdojë të jetë në pushtet, shkuan te qendrat e votimit në të njëjtën kohë në mesditë, disa prej të cilëve edhe ndërmorën hapa për t’i prishur fletëvotimet e tyre.

Dhjetëra njerëz janë arrestuar në gjithë vendin gjatë votimit që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Rusia pretendoi se Ukraina, të cilën e akuzoi se kreu një valë sulmesh ajrore që arritën deri në Moskë, u përpoq ta pengojë procesin zgjedhor.

Lufta e pamëshirshme e Kremlinit, që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut, nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Para se të vdiste në një burg rus në Arktik nën rrethana të dyshimta, ku po e kryente një dënim që cilësohej si i motivuar politikisht, lideri opozita Alexei Navalny kishte shpresuar se do t’i përdorte zgjedhjet për ta dëshmuar pakënaqësinë e popullit me luftën në Ukrainë dhe me sundimin e hekurt të Putinit.

Ai u kishte bërë thirrje votuesve ta hidhnin votën saktësisht në mesditë, duke e quajtur aksionin “Mesdita kundër Putinit”.

E veja e tij, Yulia Navalnaya, si dhe të tjerët, i kanë vazhduar thirrjet për protesta të ditën e zgjedhjeve.

Në video dhe fotografi të postuara në rrjetet sociale shiheshin radhë të gjata votuesish në mesditë në qytetet ruse si, Novosibirsk, Çita, Jekaterinburg, Perm dhe Moskë.

"Aksioni i ka arritur qëllimet e tij," tha Ivan Zhdanov, kreu i Fondacionit Kundër Korrupsionit, i cili dikur udhëhiqej nga Navalny.

“Aksioni ka treguar se ekziston edhe një Rusi tjetër, se ka njerëz që ngrihen kundër Putinit”, tha ai.

Protestat u shoqëruan nga një prani e madhe e policisë dhe nga kërcënimi me dënime të rënda me burg për ata të cilët shihen si pengues të procesit të votimit.

Grupi OVD-Info, i cili monitoron arrestimet politike në Rusi, tha se më 17 mars u arrestuan më shumë se 65 njerëz në 14 qytete në gjithë Rusinë.

Për ditën e fundit të zgjedhjeve, autoritetet ruse u përgatitën për protesta të pazakonta në mesditë në qendrat e votimit, dhe paralajmëruan se ata që e pengojnë procesin e votimit do të përballen me dënime të rënda me burg.

Më herët, Zyra e prokurorit të Moskës kërcënoi me ndjekje penale të gjithë ata që shihen duke ndërhyrë në punën e komisioneve zgjedhore në qendrat e votimit në mesditë.

Gjatë dy ditëve të para të votimit, disa qytetarë rusë e kanë shprehur zemërimin e tyre me sundimin autoritar të Putinit, duke i vandalizuar kutitë e votimit.

Është raportuar për 28 incidente të tilla, si edhe për të arrestuar.

Incidente të tilla janë raportuar në së paku nëntë qytete, përfshirë Moskën, Shën Petersburgun, Soçin dhe Volgogradin.

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, i dënoi protestuesit të shtunën duke i quajtur “tradhtarë” që po e ndihmojnë armikun e vendit, posaçërisht Ukrainën.

Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për ati 25 vjet, garoi kundër tre politikanëve pak të njohur – liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste – qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.

Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.

Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme./REL

Zgjedhjet në Rusi, sondazhet favorizojnë Vladimir Putin

Sondazhet e jashtme tregojnë se presidenti rus, Vladimir Putin fitoi një shumicë të madhe në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, të cilat patën vetëm një rezultat të mundshëm.

Një sondazh nga Qendra Ruse e Kërkimit të Opinionit Publik sugjeron se 87.97% e njerëzve votuan për presidentin aktual të Rusisë, raporton The Guardian.

Putin ishte kundër tre kandidatëve nga partitë që nuk e kanë kritikuar sundimin e tij dhe as pushtimin e tij në Ukrainë.

Zgjedhjet janë mbajtur pavarësisht protestave apo incidenteve të raportuar. Protestuesit që kundërshtojnë liderin rus Putin, në shenjë protestë i kanë bërë të pavlefshme votat e tyre.

Pse Kremlini shqetësohet për zgjedhjet presidenciale në Rusi – edhe pse dihet se Putini do t’i fitojë ato?

Vladimir Putin do të arrijë fitoren dhe do të bëhet president për herë të pestë.

Pra, pse Kremlini po shqetësohet për këto zgjedhje?

Shfaqja e mbështetjes

Zgjedhjet në Rusi janë rrallë ngjarje që ndryshojnë gjë, por ato janë të rëndësishme për të legjitimuar ata që janë në pushtet dhe për të treguar se mendimi i njerëzve ka rëndësi.

Këtë herë është veçanërisht e rëndësishme për Vladimir Putinin jo vetëm të fitojë, por edhe të shohë një pjesëmarrje të lartë në qendrat e votimit dhe një përqindje të lartë mbështetjeje, pasi vendi është përfshirë në një luftë në shkallë të gjerë që do të ketë pasoja të qëndrueshme si për Rusinë dhe për botën më të gjerë.

Lufta dhe zgjedhjet

Putin është shfaqur në shumë ngjarje gjatë fushatës së tij, duke shmangur të folurit për “operacionin special ushtarak” – termi i Moskës për pushtimin e Ukrainës, thuhet në një shkrim të BBC.

Edhe jashtë fushatës, lufta është një komponent kyç i narrativave mediatike dhe rusët nuk mund ta shmangin atë.

Andaj, pjesëmarrja e lartë dhe mbështetja e lartë për presidentin do t’i shtojnë legjitimitet vendimeve të tij të mëvonshme, shumë prej të cilave do të lidhen drejtpërdrejt me pushtimin.

Çfarë ka gjasa të ndryshojë?

Nuk ka sondazhe të pavarura të opinionit në Rusi dhe shumica e rusëve i marrin lajmet e tyre nga media shtetërore, e cila është shumë e njëanshme në favor të Vladimir Putinit dhe politikave të tij.

Megjithatë, ekspertët besojnë se më shumë rusë janë skeptikë ndaj qeverisë sesa mund të duket, por ata kanë shumë frikë të flasin.

Rezultati më i mundshëm i këtyre zgjedhjeve është një fitore bindëse për Putinin, të paktën në letër.

Por një pjesëmarrje e ulët do të thotë se mbështetja për presidentin është dobësuar dhe kjo nga ana tjetër mund të sjellë kontrolle edhe më të forta shtetërore dhe ta rrëshqasë më tej Rusinë në një atmosferë frike dhe shtypjeje.

Vullnetarët rusë që luftojnë përkrah ukrainasve, pretendojnë se kanë marrë nën kontroll një vendbanim në Rusi

Vullnetarët rusë që luftojnë përkrah ukrainasve, pretendojnë se kanë arritur të marrin nën kontroll një vendbanim rus në Gorkovskii në rajonin rus Belgorod.

“Bashkëpunim i shkëlqyer mes Forcave Çlirimtare Ruse dhe vullnetarëve të Ichekri”, thuhet në kumtesën e tyre.

Ata kanë shtuar se kanë një mesazh për propagandistët e Vladimir Putinit. Duke publikuar një video nga ajri, shihet sesi vullnetarët rusë të këtyre njësive ngritin flamurin pranë objektit ku ishte edhe flamuri rus, të cilin e shqyejnë.

Këto njësi prej më shumë se një javë janë duke luftuar kundër forcave ruse të Vladimir Putinit përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë, ku madje janë përdorur edhe armë të rënda.

Vullnetarët rusë tani pretendojnë se kanë nën kontroll një vendbanim rus në Gorkovskii të Belgorodit, ku edhe më parë kishin kryer sulme.

Rusia thotë se Ukraina e sulmoi me 35 dronë në ditën e fundit të zgjedhjeve

Ukraina i sulmoi rajonet ruse me 35 dronë, duke shkaktuar zjarr në një rafineri nafte, e vuri në shënjestër Moskën dhe shkaktoi pengesa në furnizim me rrymë në disa zona kufitare, tha Rusia të dielën.

Moska e ka akuzuar Kievin se tentoi ta pengojë procesin e votimit në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale treditore në Rusi.

Presidenti rus Vladimir Putin, i cili e ka të sigurt fitoren në këto zgjedhje të kontrolluara nga Kremlini, është zotuar se do ta ndëshkojë Ukrainën për këto sulme.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i falënderoi ushtrinë dhe inteligjencën e vendit për “armët e reja me rreze të gjata veprimi”, në një video të publikuar të shtunën, pa përmendur raportimet për sulme të shtuara ukrainase në Rusi.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shkroi në Telegram të dielën se 17 dronë u shkatërruan në rajonin jugor të Rusisë, Krasnodar, katër mbi rajonin e Moskës dhe pjesa e mbetur në gjashtë rajone të tjera.

“Dronët u shkatërruan, por një zjarr shpërtheu si pasojë e rënies së njërit prej mjeteve”, tha zyra e administratës së Krasnodarit në Telegram.

Zjarri në rafinerinë Slavyanks në Krasnodar u shua dhe nuk u raportua për viktima si pasojë e zjarrit, tha administrata.

Raportimet e kësaj administrate nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se nuk u raportua për viktima apo dëme nga dronët që u rrëzuan mbi tri qarqe në afërsi të Moskës.

Një sulm ukrainas me katër dronë në rajonin kufitar rus, Belgorod, i dëmtoi linjat e rrymës dhe gazit në një fshat, tha guvernatori i këtij rajoni, Vyacheslav Gladkov.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj i rrëzuan edhe 12 raketa të shkrepura nga Ukraina në drejtim të rajonit të Belgorodit të dielën./REL

Macron sërish refuzon të përjashtojë operacionet tokësore perëndimore në Ukrainë ‘në një moment’

Disa ditë pas takimit me udhëheqësit gjermane dhe polakë, presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një interviste të dhënë të shtunën mbrëmje, ka deklaruar se operacionet tokësore perëndimore në Ukrainë mund të jenë të nevojshme “në një moment”.

Muajin e kaluar Macron refuzoi të përjashtonte vendosjen e trupave perëndimore në terren në Ukrainë, gjë që shkaktoi një përgjigje të ashpër nga Berlini dhe partnerët e tjerë evropianë.

Por presidenti francez nuk ka hequr dorë nga qëndrimi i tij, duke theksuar se aleatët perëndimorë nuk do të merrnin iniciativën.

“Ndoshta në një moment – nuk e dua, nuk do të marr iniciativën – do të duhet të kemi operacione në terren, çfarëdo qofshin ato, për t’iu kundërvënë forcave ruse”, i tha Macron gazetës Le Parisien në një intervistë të zhvilluar të premten.

“Forca e Francës është se ne mund ta bëjmë atë”, shtoi presidenti francez.

Mosmarrëveshjet mbi mundësinë e operacioneve tokësore dhe dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Kiev, kishin kërcënuar të minonin bashkëpunimin midis aleatëve.

Kancelari gjerman Olaf Scholz reagoi me zemërim ndaj refuzimit të mëparshëm të Macron për të përjashtuar dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe komenteve të tij që u kërkonin aleatëve të mos ishin “frikacakë”.

Macron u takua me homologët e tij gjermanë dhe polakë në Berlin të premten, në një shfaqje solidariteti për Kievin.

Pas takimit, Macron tha se tre vendet e të ashtuquajturit Trekëndëshi i Weimarit ishin “të bashkuar”, në qëllimin e tyre “të mos e lënë kurrë Rusinë të fitojë dhe të mbështesin popullin ukrainas deri në fund”.

Ukraina shton sulmet ndaj Rusisë, në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve atje

Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj Rusisë, derisa presidenti Vladimir Putin po synon të forcojë kontrollin ndaj Rusisë duke u rizgjedhur. Kundërshtarët e tij kanë paralajmëruar sfida në ditën e fundit të zgjedhjeve.

Presidenti Vladimir Putin do të kërkojë të forcojë kontrollin e tij mbi pushtetin të dielën në zgjedhjet ruse që me siguri do t'i japin atij një fitore bindëse, megjithëse kundërshtarët e tij u bënë thirrje njerëzve të organizojnë një protestë simbolike kundër sundimit të tij në qendrat e votimit.

Putini, i cili erdhi në pushtet në vitin 1999, është gati të fitojë një mandat të ri gjashtëvjeçar që, nëse e përfundon atë, do ta bënte atë udhëheqësin më jetëgjatë të Rusisë për më shumë se 200 vjet.

Zgjedhjet vijnë pak më shumë se dy vjet që kur Putini shkaktoi konfliktin më vdekjeprurës evropian që nga Lufta e Dytë Botërore, duke urdhëruar pushtimin e Ukrainës në atë që ai e quan një "operacion special ushtarak" mbrojtës.

Ndërkohë Ukraina lëshoi 35 dronë kundër zonave të gjera të Rusisë, duke shkaktuar një zjarr të shkurtër në një rafineri nafte, duke shënjestruar Moskën dhe duke ndërprerë energjinë elektrike në zonat kufitare.

Moska e akuzon Kievin për sabotim zgjedhor me sulmet e tij prej disa ditësh në infrastrukturën ruse, një nga operacionet ajrore më gjithëpërfshirëse në territorin rus që kur nisi lufta. Ukraina gjatë ditëve të fundit sulmoi në mënyrë të përsëritur rafineritë e naftës në Rusi me dronë, bombardoi rajonet ruse dhe u përpoq të depërtonte kufijtë e Rusisë me forcat aleate, një lëvizje që Putin tha se nuk do të lihej pa u ndëshkuar.

Putin, 71 vjeç, ka paralajmëruar Perëndimin se çdo ndërhyrje në votim do të konsiderohet një akt agresioni. Ndërsa rizgjedhja e tij nuk vihet në dyshim duke pasur parasysh mungesën e ndonjë kandidati rival të rëndësishëm, ai dëshiron të tregojë se ka mbështetjen dërrmuese të rusëve.

Politikani kundër luftës i rrethuar nga turma pasi hodhi votën

Politikani liberal rus Boris Nadezhdin ka vendosur votën e tij në zgjedhjet presidenciale.

60-vjeçari, të cilit i ishte ndaluar të kandidonte, u rrethua nga turma pasi hodhi votën e tij.

Z. Nadezhdin e kishte bërë temën kryesore të fushatës së tij përfundimin e luftimeve në Ukrainë dhe kishte marrë një mbështetje jashtëzakonisht të gjerë gjatë mbledhjes së nënshkrimeve për t'u kualifikuar për një vend në fletëvotim.

Por ai u skualifikua nga kandidimi nga zyrtarët zgjedhorë, të cilët deklaruan se shumë nga ato nënshkrime ishin të pavlefshme.

Që atëherë ai e ka kundërshtuar skualifikimin e tij pa sukses në Gjykatën e Lartë.

Vijon lufta në Ukrainë, Rusia pushton një fshat në rajonin e Zaporizhzhias

Rusia ka pushtuar një fshat në rajonin e Zaporizhzhias së Ukrainës.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, shkruan Ineterfax.

Ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon.

Rusia është duke mbajtur zgjedhjet presidenciale edhe në rajonet e pushtuara ukrainase. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat