Në deklarimin e parë pas sulmit në sallën e koncerteve në periferi të Moskës më 22 mars, mbi 18 orë pasi sulmues të armatosur vranë të paktën 140 persona në sulmin më vdekjeprurës në Rusi në 20 vjetët e fundit, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk përmendi grupin ekstremist, Shteti Islamik, i cili veçse kishte marrë përgjegjësinë për sulmin.
Ai përmendi Ukrainën duke thënë se Kievi kishte ofruar një “dritare” në kufirin mes dy shteteve që u mundësoi sulmuesve të tentonin të iknin. Ai nuk ofroi asnjë dëshmi për këtë pretendim.
Në deklarimin pasues më 25 mars, Putin tha se “islamistët radikalë” kryen sulmin, për të cilin Shtetet e Bashkuara thanë se Shteti Islamik Korasant, degë e IS-it, kishte përgjegjësinë e plotë. Udhëheqësi rus po ashtu dyfishoi akuzat se Ukraina kishte luajtur një rol në sulm dhe drejtoi gishtin edhe kah SHBA-ja dhe Perëndimi.
Përmes formulimeve të ndryshme që synojnë t’iu thonë qartë rusëve se Ukraina dhe Perëndimi qëndrojnë prapa sulmit, Putin tha se SHBA-ja po “përdor çdo kanal për të tentuar që të bindë satelitët e saj dhe shtetet tjera... se gjoja nuk ka asnjë tregues për përfshirjen e Kievit”. Dhe, ai sugjeroi se sulmi ishte pjesë e asaj që udhëheqësi rus e përshkroi si përpjekje të Ukrainës “për të zbatuar urdhra të patronëve të saj perëndimorë” për të “mbjellë panik” në Rusi përderisa forcat e Moskës po shënojnë përparim në pushtimin e fqinjit të tyre.
Ndërkaq, mediat shtetërore në Rusi me ngulm kanë paraqitur idenë se Ukraina dhe Perëndimi qëndrojnë parapa sulmit, siç kanë bërë edhe zyrtarët e lartë dhe ligjvënësit. Në një këmbim të shkurtër të publikuar në Telegram, një gazetar pyeti sekretarin e Këshillit të Sigurisë, njëherësh aleatin e ngushtë të Putinit, Nikolai Patrushev, “IS-i apo Ukraina?”, dhe Patrushev u përgjigj: “Ukraina, sigurisht”.
Vendosja e fajit jashtë vendit për gjërat që ndodhin në Rusi – nga sulmet terroriste e deri te protestat paqësore opozitare – nuk është diçka e re për Putinin. Ai e ka bërë këtë gjë prej vitit 2004, pas krizës së pengjeve që la të vdekur më shumë se 330 persona në një shkollë në qytetin jugor të Beslanit, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni dhe Perëndimi po mbështesnin militantët islamikë në Kaukazin Verior në përpjekje për të dobësuar Rusinë./REL
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link