Izraeli ka thënë se ka miratuar hapjen e dy rrugëve në Gaza për të lejuar më shumë ndihma, ku porti Erez në veri të Gazës do të rihapet përkohësisht për herë të parë që nga fillimi i luftës.
Po ashtu, për dërgesë të ndihmave në Gaza do të përdoret edhe porti Ashdod, ndërsa bëhet e ditur se do të lejohen më shumë ndihma nga Jordania që të hyjnë në Gaza.
E gjithë kjo vjen vetëm disa orë pas një telefonate midis presidentit amerikan, Joe Biden, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që paraqet kontaktin e tyre të parë direkt që nga një sulm izraelit që vrau shtatë punonjës të ndihmave në Gaza, shkruan BBC.
Biden e paralajmëroi Netanyahun se Izraeli duhet të ndërmarrë hapa për të parandaluar dëmtimin e civilëve dhe vuajtjet humanitare nëse dëshiron të ruajë mbështetjen e ShBA-së.