Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai “nuk është gati të ndalojë” luftën e vazhdueshme në Rripin e Gazës , duke pretenduar se vërejtjet e Presidentit Joe Biden rreth një propozimi për armëpushim ishin “të pasakta”.
“Unë nuk jam gati të ndaloj luftën,” citoi transmetuesi publik KAN të ketë thënë Netanyahu gjatë një diskutimi sekret në Komitetin e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Knesset.
Ai pretendoi se detajet e propozimit të armëpushimit të paraqitur nga Biden ishin “të pasakta”.
“Përmbledhja që paraqiti Biden është e pjesshme. Lufta do të ndalet me qëllim kthimin e pengjeve dhe më pas do të kemi një diskutim,” tha ai.
“Ka detaje të tjera të pazbuluara. Ne mund të pushojmë së luftuari për 42 ditë për të lehtësuar kthimin e pengjeve, por ne nuk do të heqim dorë nga qëllimi ynë për fitore të plotë.”
Kryeministri izraelit nuk pranoi të diskutonte numrin e të burgosurve palestinezë që do të liroheshin si pjesë e një marrëveshjeje të propozuar për shkëmbimin e pengjeve.
Ne nuk do të pajtohemi për t’i dhënë fund luftës pa arritur objektivat e saj, tha Netanyahu. “Numri i pengjeve që do të lirohen në fazën e parë të marrëveshjes nuk është përcaktuar ende”.
Të premten, Biden tha se Izraeli prezantoi një marrëveshje trefazore që do t’i jepte fund armiqësive në Gaza dhe do të siguronte lirimin e pengjeve.
Biden i bëri thirrje grupit palestinez të rezistencës Hamas që të pranojë propozimin dhe i kërkoi Netanyahut t’i rezistojë presionit nga anëtarët e koalicionit të tij qeverisës për të refuzuar planin.
Megjithatë, zyra e Netanyahut përsëriti të premten se qeveria synon të vazhdojë ofensivën e saj vdekjeprurëse në Gaza derisa të përmbushen të gjitha “qëllimet” e luftës së Tel Avivit.
Hamasi, nga ana e tij, tha se do t’i përgjigjet pozitivisht çdo propozimi që përfshin një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës, përpjekjet për rindërtim, kthimin e të zhvendosurve dhe përfundimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të shkëmbimit të pengjeve. ”
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza pas një sulmi të Hamasit të 7 tetorit, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 36,500 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese janë gra dhe fëmijë, dhe mbi 82,900 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta para fillimit të saj.