SHBA-ja sanksionon grupin izraelit për sulmet ndaj autokolonave me ndihmë në Gazë

Bota

SHBA-ja sanksionon grupin izraelit për sulmet ndaj autokolonave me ndihmë në Gazë

Më: 15 qershor 2024 Në ora: 00:08
Foto ilustrim

SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj një grupi izraelit që thotë se ka sulmuar autokolonat e ndihmave humanitare që shkojnë në Gazë.

Departamenti i Shtetit tha se asetet amerikane të Tzav 9, organizatë kjo e lidhur me rezervistët izraelitë dhe kolonët e Bregut Perëndimor, do të ngrihen.

Bëhet e ditur se për disa muaj aktivistët izraelitë kanë penguar autokolonat e ndihmave të destinuara për palestinezët në Rripin e Gazës.

Më 13 maj, protestuesit u filmuan duke sulmuar dy kamionë në Bregun Perëndimor, shkruan BBC.

Në atë kohë, Tzav 9 tha se disa nga veprimet e protestuesve “nuk ishin në përputhje me vlerat e lëvizjes”.

Por shtoi se “bllokimi i kamionëve është një hap efektiv dhe praktik”, duke theksuar se “asnjë ndihmë nuk do të kalojë derisa të kthehet i fundit nga pengjet”.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit tha se sanksionet amerikane po vendosen sipas një urdhri ekzekutiv mbi dhunën në Bregun Perëndimor, të nënshkruar nga presidenti Joe Biden.

“Për muaj të tërë, individë nga Tzav 9 kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur të pengojnë dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë, duke përfshirë bllokimin e rrugëve, ndonjëherë me dhunë, përgjatë rrugës së tyre nga Jordania në Gazë, duke përfshirë kalimin tranzit në Bregun Perëndimor”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

Gjithashtu Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) janë akuzuar edhe për ndalimin e ndihmës – një akuzë që ato e mohojnë.

Ndryshe, OKB-ja ka paralajmëruar se mbi një milion njerëz në Gaza mund të përballen me uri deri në mes të korrikut nëse nuk lejohet më shumë ndihma në rrip. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat