​Operacioni Zinxhiri Global, Interpoli arreston 219 kriminelë

Bota

​Operacioni Zinxhiri Global, Interpoli arreston 219 kriminelë

Më: 24 qershor 2024 Në ora: 21:56
Pamje nga aksioni

Një operacion i madh ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore rezultoi në 219 arrestime dhe identifikimin e 1.374 viktimave të mundshme, duke përfshirë 153 fëmijë në 39 vende, njoftoi sot Interpoli.

Operacioni Zinxhiri Global, i udhëhequr nga Austria në koordinim me Rumaninë, Europolin, Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare dhe Interpol, u krye nga data 3 deri më 9 qershor me qëllim të shkatërrimit të rrjeteve kriminale me rrezik të lartë të përfshirë në shfrytëzim seksual, punë dhe lypje të detyruar.

Operacioni njëjavor përfshiu polici dhe roje kufitare nga disa kontinente dhe u fokusua në rrjetet kriminale të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore, veçanërisht të fëmijëve.

Si rezultat, autoritetet hapën 276 hetime të reja dhe identifikuan 362 të dyshuar të tjerë. Ata konfiskuan gjithashtu 2.074 asete kriminale, duke përfshirë para dhe pajisje, dhe zbuluan 363 dokumente mashtruese, raportoi Interpol.

"Operacionet si Zinxhiri Global tregojnë se asnjë vend apo kontinent nuk është i imunizuar nga trafikimi dhe shfrytëzimi i qenieve njerëzore. Qoftë i kryer nga anëtarët e familjes apo grupet e krimit të organizuar, ndikimi te viktimat është shkatërrues. Si një komunitet global i zbatimit të ligjit, ne jemi të përkushtuar të ndajmë informacione jetike për të sjellë autorët para drejtësisë," tha Richard Chambers, drejtori kundër krimit të organizuar dhe atij në zhvillim në Interpol. /AA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat