Rusia dënon me 16 vjet burgim gazetarin amerikan

Bota

Rusia dënon me 16 vjet burgim gazetarin amerikan

Më: 19 korrik 2024 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, u dënua sot nga Rusia me 16 vjet burgim nën akuzën për spiunazh, çka punëdhënësi i tij dhe ShBA-ja i kanë hedhur poshtë si të sajuara, raporton AP, transmeton Klan Kosova.

Përfundimi i gjyqit të tij të shpejtë dhe të fshehtë në sistemin ligjor shumë të politizuar të Rusisë ndoshta hapi rrugën për një shkëmbim të burgosurish midis Moskës dhe Uashingtonit.

Kur gjyqtari në Gjykatën Rajonale të Sverdlovskës e pyeti Gershkovichin nëse e kuptonte vendimin, ai tha po.

Gershkovich, 32 vjeçar, u arrestua në mars 2023 teksa ishte në një udhëtim raportues në qytetin e Maleve Ural të Yekaterinburgut dhe u akuzua për spiunazh për ShBA-në. Që nga atëherë ka qenë pas hekurave.

Ai ishte gazetari i parë amerikan i arrestuar me akuza për spiunazh që nga Nicholas Daniloff në vitin 1986, në kulmin e Luftës së Ftohtë. Arrestimi i Gershkovichit tronditi gazetarët e huaj në Rusi, edhe pse vendi ka miratuar ligje gjithnjë e më represive për lirinë e fjalës pas dërgimit të trupave në Ukrainë.

Autoritetet ruse pretenduan, pa ofruar asnjë provë, se ai po mblidhte informacion sekret për ShBA-në.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat