Mbretëria e Bashkuar ka nisur përgatitjet për një evakuim të mundshëm të qytetarëve britanikë nga Libani pas vrasjeve të javës së kaluar në Bejrut dhe Teheran të cilat kërcënojnë të transformojnë luftën në Gazë në një konflikt mbarë-rajonal.
Zyra e Jashtme, Commonwealth dhe Ministria e Mbrojtjes thanë në një deklaratë se ekspertë konsullorë, zyrtarë të forcave kufitare dhe personel ushtarak janë vendosur në rajon si pjesë e planifikimit për “një sërë skenarësh të mundshëm konflikti me tensionet në rritje”.
Ndërkohë, anijet RFA Cardigan Bay dhe HMS Duncan tashmë ndodhen në Mesdheun lindor, me forcat ajrore që po i vendosin helikopterët e transportit në gatishmëri.
Bëhet e ditur se vendimi për të vendosur forcat në gatishmëri vjen pas një takimi midis Sekretarit të Mbrojtjes, John Healey dhe homologut të tij izraelit Yoav Gallant, gjatë një vizite në rajon nga Healey dhe Sekretari i jashtëm, David Lammy.
Qeveria përsëriti gjithashtu një thirrje për shtetasit britanikë në Liban që të largohen, duke u bashkuar me thirrjen e SHBA-së dhe disa vendeve të tjera.
Frika se lufta në Gazë është në prag të shndërrimit në një konflikt që mund të konsumojë pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme u rrit gjatë fundjavës pas sulmeve të fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut, shkruan the Guardian.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer sulme kokë më kokë që kur milicia libaneze filloi të qëllonte kundër Izraelit një ditë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, gjoja për të ndihmuar aleatët e palestinezë.
Paralelisht me luftimet në Gazë, konflikti që ndan dy vendet është përshkallëzuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë 10 muajve të fundit, me dhjetëra mijëra njerëz nga të dyja palët të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Tensionet arritën nivele të paprecedentë këtë javë pas vrasjeve të njëpasnjëshme të Fuad Shukur, komandantit të dytë të Hezbollahut, dhe shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Izraeli ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Shukurit, në një sulm me raketa në Bejrut që vrau gjithashtu katër persona të tjerë dhe plagosi rreth 70.
Në tjetrën anë, Izraeli tha se Hezbollahu ishte fajtor për një sulm me raketa në lartësitë e Golanit që vrau 12 fëmijë.
Vetëm disa orë më vonë, vrasja e Shukurit u la në hije nga lajmi se Haniyeh ishte vrarë gjatë një vizite në Teheran për inaugurimin e presidentit të ri të Iranit.
Ndryshe, SHBA-ja, aleati më i rëndësishëm i Izraelit, tha se do të dërgojë anije luftarake dhe aeroplanë luftarakë shtesë në rajon për të “mbrojtur personelin amerikan dhe për të mbrojtur Izraelin”.
Luftimet në Rripin e Gazës kanë tërhequr gjithashtu grupe militante në Siri, Irak dhe Jemen, të cilët kanë gjuajtur me dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe aseteve të SHBA-së në rajon.
Teherani sulmoi drejtpërdrejt Izraelin për herë të parë në prill, pasi një sulm izraelit vrau disa roje revolucionare në konsullatën iraniane në kryeqytetin sirian, Damask.
Ndërkohë, luftimet vazhdojnë të ndezen në Gazë, ku zyrtarët shëndetësorë thanë se konflikti tani kishte vrarë pothuajse 40,000 njerëz.