Gjatë më shumë se 19 muajve në pushtet, qeveria e koalicionit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka zgjeruar në mënyrë dramatike ndikimin e Izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke përshpejtuar fushatën afatgjatë të ndërtimit të vendbanimeve të reja për të penguar krijimin e një shteti palestinez.
Qeveria ka miratuar sekuestrimin strategjik të tokës, gati 6000 hektarë vetëm këtë vit, ndërtimin e vendbanimeve të mëdha, shkatërrimin e përshkallëzuar të pronave palestineze dhe rritjen e mbështetjes shtetërore për postat e vendbanimeve të ndërtuara ilegalisht. Së bashku, ato shënojnë ndryshimet më të rëndësishme territoriale në Bregun Perëndimor në dekadat e fundit.
Ndërsa administrata e presidentit amerikan, Joe Biden këmbëngul se çdo zgjidhje diplomatike për luftën në Gaza përfshin një rrugë drejt një shteti të pavarur palestinez, kolonëve radikalë hebrenj dhe mbështetësve të tyre politikë të ekstremit të djathtë, të cilët janë ngritur në nivelet më të larta të qeverisë izraelite, po rivizatojnë hartën në kohë reale duke e bërë praktikisht të pamundur zgjidhjen me dy shtete të parashikuara në marrëveshjet e kaluara të paqes.
Në gjashtë komunitete palestineze, banorët përshkruan kufizimet paralizuese në jetën e përditshme teksa vendbanimet afrohen, duke kufizuar aftësinë e tyre për të lëvizur lirshëm dhe për të hyrë në tokën bujqësore që i ka mbajtur prej kohësh. Dhuna e kolonëve zhduku disa fshatra, shkruan washingtonpost.
Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, u rikthye në detyrë në dhjetor të vitit 2022 nën një marrëveshje koalicioni që zotohej të “promovonte dhe zhvillonte vendbanimet në të gjitha pjesët e Tokës së Izraelit”, duke përfshirë Bregun Perëndimor.
Përpjekjet për të zgjeruar dhe konsoliduar kontrollin izraelit mbi këtë zonë udhëhiqen nga Bezalel Smotrich, aktivist i vjetër kolonësh që tani shërben si ministër i Financave. Netanyahu gjithashtu e emëroi edhe në një pozicion në Ministrinë e Mbrojtjes, duke i dhënë atij autoritet të gjerë mbi politikën izraelite në Bregun Perëndimor.
Ambicia shtytëse e Smotrich është të “popullojë tokën, ta ndërtojë atë dhe të parandalojë, për hir të Zotit, ndarjen e saj dhe krijimin e një shteti palestinez”.
Për të arritur këtë qëllim, tha Smotrich, atij do t’i duhet “të ndryshojë ADN-në e sistemit”.
Rreth tre milionë palestinezë jetojnë në Bregun Perëndimor, së bashku me më shumë se 500 mijë kolonë, numri i të cilëve është rritur me më shumë se 15 për qind në pesë vitet e fundit.
Pozicioni i Smotrich dhe aleatëve në pushtet përforcoi arritjet e tyre. Këshilli i Lartë i Planifikimit i Izraelit ka miratuar rreth 12 mijë njësi të reja banimi gjatë 19 muajve të fundit, krahasuar me pak më shumë se 8000 në dy vitet e mëparshme. Një numër në rritje i postave në Bregun Perëndimor, të paligjshme sipas ligjit izraelit, janë legalizuar. Shteti konfiskoi pjesë të mëdha të tokës.
Forcat izraelite të sigurisë nuk kanë arritur të frenojnë valën në rritje të ngacmimeve, sulmeve dhe vrasjeve nga kolonët ekstremistë, qëllimi i të cilëve ka qenë shpopullimi i komuniteteve palestineze përreth tyre. Të paktën 114 palestinezë janë vrarë ose plagosur në këto sulme që nga muaji tetor, sipas Kombeve të Bashkuara. Ndërsa ushtria çmontoi disa pika të paligjshme, shumica u rindërtuan shpejt.
“Çdo pretendim se IDF mbështet dhe lejon dhunën e kolonëve është i rremë”, pohoi Forca e Mbrojtjes së Izraelit në një deklaratë për Washington Post.
Gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin muajin e kaluar që t’i japë fund pushtimit të territorit palestinez, të evakuojë vendbanimet ekzistuese dhe të paguajë kompensim për palestinezët që humbën tokën dhe pronën. Një gjykim simbolikisht domethënës, por me efekt praktik të kufizuar.