LIVE: Pamje nga beteja e ashpër mes ukrainasve dhe rusëve – Kreu i ushtrisë publikon foton me ushtarë rusë të zënë rob

Bota

LIVE: Pamje nga beteja e ashpër mes ukrainasve dhe rusëve – Kreu i ushtrisë publikon foton me ushtarë rusë të zënë rob

Nga: Bota sot Më: 27 gusht 2024 Në ora: 07:56 Përditësuar në ora: 09:08 më 27.08.2024
Sergei Lavrov

Ukraina i rrëzon 15 dronë rreth Kievit

Forcat mbrojtëse ajrore ukrainase i kanë rrëzuar rreth 15 dronë rusë dhe disa predha afër Kievit gjatë sulmit të fundit rus.

“Gjithcka që ka fluturuar drejt kryeqytetit të Ukrainës është shkatërruar”, ka thënë administrata ushtarake e kryeqytetit.

Rusia shënjestroi Ukrainën me një tjetër valë sulmesh brenda natësh, ku zyrtarët ukrainas raportuan për së paku katër të vdekur, shkruan BBC-ja.

Eksplodime janë raportuar në rajonet e Kievit, Sumyt, Khmelnytskyt dhe Mykolayivyt.

Rusia godet sërish Ukrainën me raketa dhe dronë

Rusia e ka shënjestruar Ukrainën me një tjetër valë raketash, një ditë pasi janë regjistruar sulmet më intensive ajrore prej nisjes së luftës.

Autoritetet lokale kanë raportuar se tre persona janë vrarë në këto sulme.

Alarmet ajrore janë lëshuar në orët e para të së martës, teksa vëzhguesit ukrainas kanë thënë se kanë vërejtur nisjen e raketave hipersonike.

Është raportuar edhe për sulme masive me dronë.

Forcat ajrore të Ukrainës kanë thënë se i gjithë shteti është nën rrezik prej një sulmi me armë balistike.

Në një deklaratë të lëshuar prej Ministrisë ruse të Mbrojtjes, është thënë se janë përdorur armë precize me bazë në tokë dhe në ujë, për t’i goditur stacionet e energjisë elektrike dhe infrastrukturën tjetër në Ukrainë, përfshirë rajonet e Kievit, Lvivit, Harkivit dhe Odesas.

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur në natën mes të dielës dhe të hënës, dhe dhjetëra tjerë janë plagosur, si pasojë e shënjestrimit të shumë rajoneve ukrainase me dronë dhe raketa.

Sulmet në infrastrukturën e energjisë kanë lënë shumë qytete në terr, si dhe janë prekur edhe furnizimet me ujë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka përshkruar sulmet si të “egra” dhe ka thënë se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë sistemin elektrik të Ukrainës.

Sulmet e fundit po shihen si tentim i Moskës për të rikthyer kontrollin në konflikt, pasi Ukraina e ka shtrirë kontrollin në rajonin rus, Kursk.

Rusia e ka shënjestruar sistemin elektrik të Ukrainës prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë të hënën që t’i ndryshojnë rregullat dhe t’ia mundësojnë Ukrainës që t’i përdorë armët e tyre më thellë në Rusi.

Ukrainës i lejohet t’i përdorë disa armë të Perëndimit për të goditur shënjestra brenda Rusisë, por jo edhe armë me rreze të gjatë.

Si rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë

Rusia rekruton qytetarë nga vendet e jugut global në luftën kundër Ukrainës. Nuk është vetëm paga relativisht e mirë, që i josh ata. DW foli me disa prej tyre.

21-vjeçari nga Sri Lanka nuk priste të dërgohej në vijën e frontit në Ukrainë, kur nënshkroi kontratën me Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Për mundësinë për t`iu bashkuar ushtrisë ruse kishte dëgjuar nga një bashkëkombas nga Sri Lanka. Ai i kishte thënë, se nëse do të shërbente për një vit në ushtri, ai dhe prindërit e tij do të merrnin nënshtetësinë ruse.

"Ai më tha, se nuk dërgohesh në front, por shërben vetëm si ndihmës”, thotë i riu. Kështu në muajin shkurt ai vendosi të nënshkruante shpejt një kontratë dhe mori menjëherë rreth 2000 dollarë.

Atij iu premtua një pagë mujore prej 2.300 dollarësh plus disa përfitime shtesë.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Zelensky kërkon plan të qartë për bashkëpunëtorët e Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim me krerët e agjencive të zbatimit të ligjit, ku temë kryesore ishte hetimi i çështjeve penale kundër bashkëpunëtorëve, kalimet e paligjshme të kufirit dhe programin kundër korrupsionit.

Kështu thuhet në një postim të presidentit në Telegram.

“Takim me krerët e agjencive ligjzbatuese dhe antikorrupsionit. Fokusi kryesor është kundërveprimi i bashkëpunëtorëve, hetimi i procedimeve penale kundër atyre që justifikojnë agresionin e Rusisë, i shërbejnë kësaj lufte kundër Ukrainës, kalimeve të paligjshme të kufijve dhe programit kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratë.

Siç u përmend, brenda dy javësh, oficerët e zbatimit të ligjit duhet të hartojnë dhe paraqesin një plan për zgjidhjen e çështjeve problematike.

Siç raportoi Ukrinform, kabineti i ministrave miratoi Programin Shtetëror Kundër Korrupsionit për 2023-2025 më 4 mars 2023. Ky dokument përcakton një sistem masash specifike kundër korrupsionit që synojnë zbatimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat