Sean “Diddy” Combs ishte në krye të një perandorie krimesh seksuale, duke abuzuar me gratë prej vitesh, duke i kërcënuar ato për t’i mbajtur nën kontroll dhe duke përdorur ndihmesat e tij për t’i mbuluar këto veprime, thuhet në një padi të bërë publike të martën.
Manjati i muzikës “u angazhua në mënyrë të përsëritur dhe të gjithanshme në abuzimin e grave dhe të individëve të tjerë”, duke përdorur ndër të tjera edhe dhunën seksuale, me qëllim “përmbushjen e dëshirave të tij seksuale, mbrojtjen e reputacionit të tij dhe fshehjen e shkeljeve”, thuhet në akuzë.
Ai thuhet t’i ketë detyruar gratë viktima dhe persona të tjerë të merrnin pjesë në aktivitete seksuale që zgjasnin ndonjëherë edhe gjatë një dite të tërë. Padia përmend edhe sulmin e tij ndaj ish-të dashurës, këngëtares së muzikës R&B, Cassie, që u filmua nga kamerat.
Zoti Combs u arrestua mbrëmjen e së hënës në Manhatan, rreth gjashtë muaj pasi autoritetet federale bënë një hetim për trafikim seksual, duke bastisur edhe rezidencat e tij luksoze në Los Anxhelos dhe Majami. Ai pritej të paraqitej pasditen e së martës në gjykatë, ku kishin mbërritur për të ndjekur procesin gjyqësor edhe tre djemtë e tij.
Prokurorët thanë se do të kërkonin mbajtjen e tij në burg deri në zhvillimin e gjyqit. Avokati i tij, Marc Agnifilo, tha përpara ndërtesës së gjykatës të martën se do të luftonte që ai të lihej në gjendje të lirë dhe se zoti Coms është i pafajshëm dhe se do të vetëdeklarohet i tillë.
“Ndjehet mirë dhe ka vetëbesim”, tha avokati, i cili tha se zoti Combs erdhi vullnetarisht në Nju Jork “për t’u angazhuar me sistemin e gjykatave në fillimin e çështjes”.
Akuza e cilëson zotin Combs, themeluesin 54-vjeçar të kompanisë Bad Boy Records, si drejtues të një organizate kriminale që angazhohej në trafikim seksual, punë të detyrueshme, transport ndërmjet shteteve të ndryshme për qëllime prostitucioni, shkelje me drogat, pengmarrje, zjarrvënie, dhënie ryshfeti dhe pengim të drejtësisë.
Ai akuzohet se i godiste, i qëllonte me grusht dhe i tërhiqte gratë zvarrë, se u hidhte objekte dhe i shkelmonte ato, dhe se detyronte ndihmesat e tij, personelin e sigurisë dhe të mirëmbajtjes së shtëpisë që ta ndihmonin për t’i mbajtur këto veprime të fshehta.
“Provat për këtë rast janë jashtëzakonisht të fuqishme”, shprehen prokurorët në një dokument, ku kërkojnë masën e sigurisë me burg. Ata thonë se kanë intervistuar mbi 50 viktima dhe dëshmitarë dhe se mendojnë se ky numër do të rritet.
Zoti Combs dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën “fuqinë dhe prestigjin” e tij për të frikësuar dhe për të joshur gratë që të bëheshin pjesë e rrethit të tij, “shpesh duke e shitur si një marrëdhënie romantike”, thuhet në padi. Sipas akuzës, ai në vazhdim përdorte forcën dhe kërcënimin për t’i detyruar gratë të angazhoheshin me meshkuj të tjerë, për të realizuar skena seksuale që zoti Combs i planifikonte vetë dhe i drejtonte. Shpesh ai i filmonte këto skena dhe ka krijuar dhjetëra video me to.
Ndonjëherë ai mundësonte edhe udhëtimin e grave me avion dhe sigurohej për pjesëmarrjen e tyre nëpërmjet përdorimit të drogave dhe ushtrimit të kontrollit mbi karrierën e tyre, duke përdorur mbështetjen e tij financiare, frikësimin dhe dhunën, thuhet në aktpadi.
Aktivitetet e planifikuara mund të vazhdonin edhe për disa ditë me radhë. Zotit Combs dhe viktimave u jepeshin shpesh serume për t’u rimëkëmbur nga stërmundimi dhe përdorimi i drogave, thuhet në padi. Punonjësit ndihmonin duke mundësuar udhëtimin, rezervimin e dhomave të hoteleve, duke bërë furnizimin me drogat dhe vajin për trupin, duke planifikuar se kur do të jepeshin serumet intravenoze dhe duke pastruar më pas dhomat.
Gjatë bastisjeve këtë vit në rezidencat e zotit Combs në Majami dhe Los Anxhelos, zyrtarët e agjencive të zbatimit të ligjit konfiskuan droga, video të aktiviteteve, si dhe mbi një mijë shishe me vaj për trupin dhe lubrikantë, thanë prokurorët. Agjentët konfiskuan armë dhe municion, ndër to tre automatikë AR-15 me numra serie të fshirë – dy prej tyre të çmontuar në disa pjesë, në dollapin në dhomën e tij të gjumit në Majami.
Aktpadia e paraqet zotin Combs si një person të dhunshëm që i shtrëngonte njerëzit nga gryka, i shtynte, i godiste dhe i shkelmonte viktimat e tij dhe ndonjëherë i tërhiqte nga flokët, duke iu shkaktuar lëndime për të cilat duheshin shpesh ditë apo javë që të shëroheshin. Punonjësit dhe bashkëpunëtorët e tij ishin shpesh dëshmitarë të dhunës së tij dhe nuk i lejonin viktimat të largoheshin, ose gjurmonin personat që kishin arritur të iknin, thuhet në akuzë.
Ndërsa po rritej mundësia e ngritjes së akuzave penale, zoti Combs dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë presion dëshmitarëve dhe viktimave që të mos flisnin, u ofruan atyre ryshfet dhe variante të rreme të ndodhive, thuhet në padi.
Prokurorët thonë se të gjitha këto ndodhnin të fshehura pas fasadës së muzikës së zotit Combs të njohur në mbarë globin, stilit të tij të jetesës dhe biznesit të veshjeve.
“Një vit më parë, Sean Combs ishte në sheshin Times Square dhe iu dha çelësi i qytetit të Nju Jorkut. Sot, ai është akuzuar dhe do të përballet me drejtësinë”, tha prokurori Damian Williams gjatë një konference për shtypin të martën.
Zoti Combs e riktheu çelësin në qershor, pasi iu kërkua nga kryebashkiaku Eric Adams.
Zoti Combs njihej si një nga figurat më me influencë në muzikën hip-hop, përpara se të shfaqeshin akuza të shumta gjatë vitit të kaluar.
Në nëntor, këngëtarja Cassie, emri i vërtetë i së cilës është Casandra Ventura, bëri një padi ku e akuzoi për rrahje dhe përdhunim ndër vite. Ajo akuzon se zoti Combs e detyroi atë dhe persona të tjerë, të bënin marrëdhënie seksuale pa vullnetin e tyre dhe të përdornin drogë.
Për këtë padi u arrit në një marrëveshje brenda një dite, por disa muaj më vonë kanali televiziv CNN transmetoi pamje të kamerave të sigurisë të hotelit kur tregohej zoti Combs duke goditur me grushte dhe shkelma zonjën Ventura dhe duke e rrëzuar atë në tokë. Pas transmetimit të videos, zoti Combs kërkoi ndjesë duke thënë se “i erdhi ndot nga veprimi që bëri”.
Në padinë e prokurorisë përmendet edhe ky sulm, megjithëse nuk përmendet emri i zonjës Ventura, dhe thuhet se zoti Combs u përpoq t’i japë rryshfet një punonjësi të sigurisë së hotelit që të mos fliste për këtë.
Douglas Wigdor, avokat i zonjës Ventura, nuk pranoi të komentojë për këtë të martën.
Zoti Combs dhe avokatët e tij mohuan akuza të ngjashme të bëra nga të tjerë në një seri padish.
Një grua ka thënë se zoti Combs e përdhunoi dy dekada më parë, kur ajo ishte 17 vjeçe. Një producent muzike ngriti padi se zoti Combs e detyroi të bënte seks me prostituta. Një tjetër grua, April Lampros, tha se zoti Combs e detyroi të bëhej pjesë e “skenave tmerruese seksuale”, duke filluar që kur ajo ishte studente në vitin 1994.
Zoti Combs ka patur përballje me ligjin edhe më parë. Në vitin 2001 për shembull, ai u shpall i pafajshëm në lidhje me të shtënat në një klub nate në Manhatan që lanë të plagosur tre persona./VOA