Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka miratuar të mërkurën një rezolutë palestineze, e cila i kërkon Izraelit t’i japë fund “pranisë së jashtëligjshme në territoret e uzurpuara palestineze” brenda 12 muajve.
Njëqind e njëzet e katër shtete votuan për këtë rezolutë, 43 të tjera abstenuan, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe 12 shtete të tjera votuan kundër.
Ky vendim e izolon Izraelin pak ditë para se liderët botërorë të mblidhen në Nju Jork për takimin vjetor të OKB-së. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme më 26 shtator, sikurse edhe presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.
Rezoluta e së mërkurës pason një opinion këshillues në korrik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se uzurpimi i territoreve palestineze nga Izraeli dhe ndërtimi i vendbanimeve janë të jashtëligjshme.
Ndërkohë, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme u bën thirrje gjithashtu shteteve që "të ndërmarrin hapa drejt ndërprerjes së importit të çdo produkti me origjinë nga vendbanimet izraelite, si dhe të mos i sigurojnë apo transferojnë armë, municione dhe pajisje të ngjashme Izraelit ... kur ka arsye për të dyshuar se ato mund të përdoren në Territorin e Pushtuar Palestinez”.
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, u bëri thirrje vendeve të votojnë kundër të mërkurën. Uashingtoni - një furnizues armësh dhe aleat i Izraelit - ka kundërshtuar prej kohësh masat e njëanshme që minojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete.
Opinioni GJND-së nuk është detyrues, por ka peshë sipas ligjit ndërkombëtar dhe mund të ndikojë që mbështetja për Izraelin të zbehet.
As rezoluta e së mërkurës e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk është detyruese, por ka peshë politike. Asnjë vend nuk ka të drejtë vetoje në Asamble.
"Çdo vend ka një votë dhe bota po na shikon," tha ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, para Asamblesë së Përgjithshme të martën. "Ju lutemi qëndroni në anën e duhur të historisë. Me ligjin ndërkombëtar, me lirinë, me paqen."
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e kritikoi Asamblenë e Përgjithshme të martën për dështimin për të dënuar sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit nga militantët palestinezë të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – i cili e shkaktoi luftën e Izraelit në Rripin e Gazës.
Ai hodhi poshtë tekstin palestinez, duke thënë: "Le ta quajmë këtë ashtu si është: kjo rezolutë është terrorizëm diplomatik, duke përdorur mjetet e diplomacisë jo për të ndërtuar ura, por për t'i shkatërruar ato".
Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor - zona të Palestinës historike të cilat palestinezët i duan për një shtet të vetin - në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe prej atëherë ka ndërtuar vendbanime në Bregun Perëndimor dhe i ka zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme ato.
Lufta në Rripin e Gazës filloi më 7 tetor 2023, kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Prej atëherë, ushtria izraelite ka rrafshuar pjesë të enklavës palestineze, duke i zhvendosur nga shtëpitë e tyre pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës. Më shumë se 41.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej tetorit, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL