14 të vrarë, 450 të plagosur nga shpërthimet e radiove të dorës së Hezbollahut

Bota

14 të vrarë, 450 të plagosur nga shpërthimet e radiove të dorës së Hezbollahut

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 23:21
Njerëzit e mbledhur përpara Qendrës Mjekësore të Universitetit të Bejrutit pas shpërthimit të radiomarrësve (18 shtator 2024)

BEJRUT – Të paktën 14 persona u vranë dhe 450 të tjerë u plagosën pas shpërthimit të radiove të dorës që përdoren për komunikim nga organizata Hezbollah. Shpërthimet ndodhën në pjesën jugore të Libanit dhe në rrethinat e Bejrutit.

Së paku një nga shpërthimet ndodhi pranë një funerali të organizuar nga Hezbollahu, organizatë që mbështetet nga Irani, për personat e vrarë një ditë më parë, kur mijëra pajisje komunikimi shpërthyen në mbarë vendin duke lënë edhe shumë të plagosur në radhët e luftëtarëve të kësaj organizate.

Grupi Hezbollah fajësoi Izraelin për sulmet. Autoritetet izraelite nuk kanë bërë deklarata edhe pse ekspertët e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe SHBA u thanë mediave amerikane se sulmet e të martës ndaj pasijeve të komunikimit që njihen si ‘pagers’ ishin vepër e Mossadit, agjencisë izraelite të inteligjencës.

Të mërkurën, Hezbollahu tha se në shenjë hakmarrjeje kishte sulmuar pozicionet e artilerisë izraelite me raketa, sulmi i parë që kishte si objektiv armikun e tij kryesor dhe ngriti perspektivën e një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Radiot e dorës ishin blerë nga organizata Hezbollah pesë muaj më parë, afërsisht në të njëjtën kohë kur ishin blerë edhe pajisjet e tjera të komunikimit, tha një zyrtar nga strukturat e sigurisë.

Radiot e përdorura nga anëtarët e organizatës Hezbollah

Agjencia izraelite e zbulimit Mossad, e cila ka një historik të gjatë operacionesh të sofistikuara jashtë vendit, vendosi eksplozivë brenda pajisjeve të importuara nga Hezbollahu, disa muaj përpara shpërthimeve të së martës, tha një zyrtar i lartë libanez i sigurisë, si dhe një tjetër person për agjencinë e lajmeve Reuters.

Sulmi i së martës plagosi rreth 3,000 persona, përfshirë shumë luftëtarë të grupit militant, si dhe ambasadorin e Iranit në Bejrut.

Një kompani tajvaneze mohoi të ishte ajo prodhuesja e pajisjeve të komunikimit që shpërthyen dje gjatë sulmit të pashembullt që ngriti mundësinë e një lufte frontale mes Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, dhe Izraelit.

Kompania tajvaneze “Gold Apollo” tha se licensën e prodhimit të pajisjeve ia kishte dhënë një kompanie të quajtur BAC, me qendër në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.

Nuk pati informacion të menjëhershëm se kur Hezbollahu kishte filluar sulmin e fundit me raketa, por normalisht grupi njofton për sulme të tilla menjëherë pas kryerjes së tyre.

Hezbollahu është zotuar të hakmerret kundër Izraelit, ushtria e të cilit nuk pranoi të komentojë mbi shpërthimet. Palët janë përfshirë në shkëmbime zjarri ndërkufitare që nga shpërthimi i konfliktit në Gazë tetorin e kaluar, duke nxitur frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, akuzoi Izraelin se po e afron Lindjen e Mesme më pranë një lufte rajonale, duke orkestruar një përshkallëzim të rrezikshëm në shumë fronte.

"Hezbollahu dëshiron të shmangë një luftë gjithëpërfshirëse. Ende dëshiron ta shmangë një të tillë. Por duke pasur parasysh shkallën, ndikimin mbi familjet, mbi civilët, do të ketë trysni për një përgjigje më të fortë", tha Mohanad Hage Ali nga Qendra Carnegie për Lindjen e Mesme.

Organizata Hezbollah, bashkëpunëtorja më e fuqishme e Iranit në Lindjen e Mesme, tha në një deklaratë se do të vazhdojë të mbështesë Hamasin në Gazë dhe se Izraeli duhet të presë një përgjigje ndaj "masakrës" që la luftëtarë dhe persona të tjerë të gjakosur, të shtruar në spital, ose të vdekur.

Një zyrtar i Hezbollahut tha se shpërthimi ishte "shkelja më e madhe e sigurisë" në historikun e kësaj organizate.

Pamjet nga spitalet, të shqyrtuara nga agjencia e lajmeve Reuters, treguan persona me lëndime të ndryshme, disa në fytyrë, disa me gishta të prerë dhe plagë të hapura në ije, ku ka të ngjarë të mbaheshin në brez pajisjet e komunikimit.

Për komplotin duket se janë dashur përgatitje disa mujore, i thanë agjencisë Reuters disa burime. Kjo pasoi një seri vrasjesh të komandantëve dhe udhëheqësve të Hezbollahut dhe Hamasit, për autorësinë e të cilave u fajësua Izraeli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat