Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të takojë homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë.
Zelensky planifikon të takohet me Biden të enjten dhe gjithashtu do të zhvillojë bisedime të veçanta me nënpresidenten e SHBA-së, njëherësh kandidaten demokrate për president Kamala Harris, njoftoi zyra e tij.
Përveç takimeve me Biden dhe Harris, ai pritet të takohet edhe me anëtarët e Kongresit dhe kandidatin republikan për president Donald Trump.
Zelensky gjithashtu dëshiron të takohet me përfaqësues të prodhuesve amerikanë të armëve dhe kompanive të energjisë.
Ndryshe, Zelensky kohët e fundit la të kuptohet se mund të takohet sërish me Biden në Uashington dhe njoftoi se donte t'i paraqiste presidentit amerikan planin e tij për të fituar luftën kundër Rusisë.