Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, ku ministri i jashtëm libanez ka paralajmëruar se “askush në këtë botë nuk është më i sigurt” pas sulmeve të fundit të Izraelit në Liban.
Abdallah Bou Habib gjithashtu shfaqi një fotografi që tregonte dëmtime të mëdha që, sipas tij, janë shkaktuar nga sulmi, kur mjetet e komunikimit, “pagers” shpërthyen në duart e militantëve të Hezbollahut.
“Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë vetëm drejtësi”, deklaroi ai, shkruan skynews.
Kryediplomati libanez i bëri thirrje këshillit që “t’i japë fund luftës në të gjitha frontet”, duke paralajmëruar botën që të mos jenë “dëshmitarë të heshtur” të një “shpërthimi të madh që po vjen në horizont”.
“Sot, dhe para se të jetë vonë, duhet të kuptoni se ky shpërthim nuk do të kursejë as lindjen, as perëndimin dhe do të na kthejë në epokat e errëta”, shtoi ai.
“Zgjedhja është e juaja – a do të ndërhyjë këshilli juaj i nderuar shpejt dhe me vendosmëri për të heshtur daullet e luftës? Dhembja e tyre do të jetë mbi ju”, tha ndër të tjerash Habib.
Ndryshe, Izraeli ka nisur sulme ushtarake në shtetin libanez, ku si cak janë pjesëtarët e grupit Hezbollah.