Zelensky: SHBA-ja dhe Britania e Madhe s’lejojnë përdorimin e raketave me rreze të gjatë në Rusi

Bota

Zelensky: SHBA-ja dhe Britania e Madhe s’lejojnë përdorimin e raketave me rreze të gjatë në Rusi

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 12:34
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe nuk e kanë autorizuar Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë ndaj objektivave brenda Rusisë, “ndoshta për shkak të frikës nga një eskalim”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se përdorimi i armëve me rreze të gjatë në Rusi do të nënkuptonte se vendet e NATO-s ishin në luftë me Moskën.

“As Amerika, as Mbretëria e Bashkuar nuk na dhanë leje të përdorim këto armë në territorin e Rusisë, ndaj ndonjë objekti, në ndonjë distancë”, i tha Zelensky gazetarëve në orët e vona të 20 shtatorit.

“Mendoj se ata janë të shqetësuar për një eskalim”, shtoi ai.

Këto armë i janë dhënë Ukrainës nga aleatët e saj perëndimorë.

Zelensky gjithashtu tha se aleatët e Ukrainës kishin rritur mbështetjen e tyre ushtarake për ushtrinë ukrainase, e cila po lufton për të ndaluar avancimin e forcave ruse në lindje të vendit.

“Ndihma u përshpejtua në shtator. Jemi të kënaqur. Mund ta ndjejmë ndryshimin”, tha ai.

Vonesa në furnizimin e armëve për shkak të ndarjeve politike midis aleatëve e la ushtrinë ukrainase pa furnizime në fillim të këtij viti.

Kievi është shumë i varur nga kjo mbështetje ushtarake. Ushtria e saj ka më pak burra dhe armë se forcat ruse me të cilat ka luftuar që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022.

Planifikimet për paqe

Përpjekjet për ta përfunduar luftën nuk kanë dhënë ende rezultate të suksesshme. Zelensky e hodhi poshtë një plan paqeje të propozuar në pranverë nga Kina dhe Brazili, duke e cilësuar atë si shumë të paqartë.

“Nuk mendoj se ishte një plan konkret. Nuk shoh ndonjë veprim ose faza specifike në të, vetëm procedura të përgjithësuara”, tha ai të premten në mbrëmje.

“Generalizimet gjithmonë fshehin diçka”, iu tha ai gazetarëve.

Kina dhe Brazili kishin promovuar idenë e një konference ndërkombëtare për paqe, të pranueshme për të dyja palët, Rusinë dhe Ukrainën, ku të dyja anët do të merrnin pjesë në mënyrë të barabartë dhe të gjitha opsionet do të ishin në tavolinë.

Pekini dhe Moska kanë lidhje të ngushta që janë forcuar që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara pretendojnë se, ndonëse Kina nuk furnizon armë drejtpërdrejt për Rusinë, ajo ndihmon Moskën ta rrisë prodhimin vendas të raketave, dronëve ushtarakë dhe tankeve.

Zelensky shpreson tq propozojë planin e tij të quajtur “plani i fitores” për ta përfunduar luftën kur të takohet me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme.

“Plani është i dizajnuar për vendime që do të duhet të ndodhin nga tetori në dhjetor... Do të dëshironim shumë që kjo të ndodhte. Pastaj besojmë se plani do të funksionojë”, kishte thënë ai më parë.

Lideri ukrainas gjithashtu tha se do të takohej me Donald Trump ndoshta më 26 ose 27 shtator.

Trump, i cili ishte president i SHBA nga viti 2017 deri në vitin 2021, ka qenë shumë kritik ndaj miliarda dollarëve që Uashingtoni ka ofruar për Kievin si ndihmë dhe ka pretenduar se mund të ndihmojë për të përfunduar luftën brenda 24 orëve, por pa e shpjeguar kurrë se si do ta bënte këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat