Numri i njerëzve të vrarë në një sulm ajror izraelit në Bejrut është rritur ndjeshëm, thonë zyrtarët libanezë, me disa fëmijë dhe gra në mesin e të vdekurve.
Gjatë gjithë ditës, shpëtimtarët kanë kërkuar nëpër rrënoja pasi një ndërtesë e lartë u shemb dhe të tjera u shkatërruan pjesërisht në sulm, me stafin mjekësor që vëzhgoi vendin e ngjarjes dhe njerëzit që prisnin lajmet për ata që ishin ende të zhdukur.
Bëhet e ditur se sulmi, i cili goditi lagjen e Dahieh, një bastion i Hezbollahut në Bejrutin jugor, vrau të paktën 37 njerëz, duke përfshirë tre fëmijë dhe plagosi 68 të tjerë, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Sulmi ajror ishte i treti i Izraelit në kryeqytetin libanez këtë vit dhe është parë si një përshkallëzim i madh në rajon që ka shtuar frikën e një lufte gjithëpërfshirëse.
Zyrtari i lartë i OKB-së, Rosemary Di Carlo, paralajmëroi se Lindja e Mesme është në rrezik të një konflikti edhe më të gjerë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se Hezbollahu konfirmoi vdekjen e Ibrahim Aqilit, një komandant i lartë në forcat elitare të grupit Radwan.
Grupi gjithashtu konfirmoi se Ahmed Wahbi, një figurë e lartë e Radwanit, vdiq në sulm.
Ushtria izraelite lëshoi një përditësim për sulmin në Libanin jugor, duke thënë se kishte vrarë një duzinë komandantësh të lartë në forcën elitare të Hezbollahut Radwan.
Në atë që e përshkroi si një “sulm të saktë”, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se ata që ishin shënjestruar në Bejrut ishin takuar në Dahieh, një bastion i njohur i grupit të mbështetur nga Irani në kryeqytetin libanez.
E se si Hezbollahu do të përgjigjet nuk është e qartë.
Siç raportohet, sulmet e fundit ajrore ndodhën disa ditë pas një vale shpërthimesh pagerash të përdorur nga grupi, të cilët vranë dhjetëra, plagosën mijëra të tjerë dhe shkaktuan panik në një vend tashmë të rraskapitur nga pothuajse një vit konflikti.
Nga shpërthimet e pajisjeve, 152 persona janë ende në gjendje kritike dhe 777 të tjerë po trajtohen në spital.