Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden priti këtë fundjavë udhëheqësit e Australisë, Indisë dhe Japonisë në shtëpinë e tij në shtetin e Delauerës në takimin e fundit të presidencës së tij të “Quad-it”, një grupim strategjik i përqendruar tek siguria e Indo-Paqësorit.
Por ishin disa komente të zotit Biden të kapura pa dashje në mikrofon, që hodhën dritë mbi temën kryesore të këtij takimi privat, ajo e Kinës.
Presidenti Biden tha se administrata e tij i lexon veprimet e fundit të Pekinit, përfshirë provokimet territoriale, si një "ndryshim në taktikë, jo një ndryshim në strategji".
"Ne besojmë se [presidenti kinez] Xi Jinping po përpiqet të përqendrohet tek sfidat e brendshme ekonomike dhe të minimizojë problemet në marrëdhëniet diplomatike të Kinës si edhe po përpiqet të sigurojë hapësirë diplomatike, sipas mendimit tim, për të ndjekur në mënyrë agresive interesat e Kinës," u tha zoti Biden tre udhëheqësve të tjerë.
"Kina vazhdon të sillet në mënyrë agresive në të gjithë rajonin”, shtoi ai. Pekini ka shprehur pretendime territoriale në pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore, përfshirë territore të pretenduara nga Brunei, Malajzia, Filipinet dhe Vietnami. Ajo ka gjithashtu pretendime territoriale në Detin e Kinës Lindore në rajone të kontestuara nga Japonia dhe Tajvani. Ajo e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si pjesë të Kinës.
Në një deklaratë të përbashkët në fund të takimit, Presidenti Biden, kryeministri australian Anthony Albanese, ai indian Narendra Modi dhe ai japonez, Fumio Kishida rikonfirmuan angazhimin e tyre ndaj bashkëpunimit përmes Quad-it. Presidenti i Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë e quajti mungesën e qasjes së gazetarëve në takim "të papranueshme".
"Si katër demokraci kryesore detare në Indo-Paqësor, ne angazhohemi pa mëdyshje për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë këtë rajon dinamik, si një element i domosdoshëm i sigurisë dhe mirëqenies globale," thanë ata.
"Ne kundërshtojmë fuqimisht çdo veprim destabilizues ose të njëanshëm që synon të ndryshojë status quo-në me forcë ose detyrim. Ne dënojmë hedhjen e fundit të paligjshme të raketave në rajon që shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne shprehim shqetësim serioz për veprimet e fundit të rrezikshme dhe agresive në det. Ne duam një rajon ku asnjë vend nuk sundon dhe nuk sundohet - një rajon ku të gjitha vendet ushtrojnë të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Kina e ka quajtur grupin e katër vendeve një "klub ekskluziv që minon besimin dhe bashkëpunimin midis vendeve të rajonit"./VIA