Komisioni Evropian ka filluar procedurat e ankimit në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), ndaj një hetimi që ka filluar Kina mbi prodhimet e bulmetit të bllokut evropian. Hetimi filloi pasi BE-ja vendosi tarifa të reja mbi importet e makinave elektrike kineze.
Kjo është hera e parë që Bashkimi Evropian ndërmerr një masë të tillë që në fillim të hetimeve, pa pritur për përfundimin e tyre dhe nëse ato të rezultonin ose jo në vendosjen e masave kundër bllokut.
“Veprimi i BE-së u nxit nga prirja e re e Kinës për të filluar marrjen e masave tregtare proteksioniste mbi pretendime të pabazuara dhe prova të pamjaftueshme, brenda një periudhe të shkurtër kohore”, thotë Komisioni.
Procedurat në OBT fillojnë me një periudhë të detyrueshme 60 ditore konsultimi të palëve me njëra-tjetrën. Komisioni tha se do t'i kërkonte OBT-së të krijonte një panel gjykues nëse konsultimet nuk çonin në një zgjidhje të kënaqshme.
Komisionet e OBT-së zakonisht marrin më shumë se një vit për të arritur në përfundime.
Kina e nisi hetimin e saj kundër subvencioneve të BE-së për produktet e tyre të bulmetit më 21 gusht, duke vënë në shënjestër qumështin, nënproduktet e tjera të rij, me përmbajtje yndyre mbi 10% dhe lloje të ndryshme djathërash.
Komisioni tha se ishte i bindur se skemat e subvencionimit të qumështit të BE-së janë plotësisht në përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe nuk e dëmtojnë sektorin kinez të qumështit.
Bashkimi Evropian vendosi tarifa të përkohshme në korrik për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë. Vendet anëtare të BE-së pritet të votojnë së shpejti për tarifat përfundimtare, të cilat do të zbatohen për pesë vjet.
Kina gjithashtu po zhvillon hetime të vazhdueshme kundër konjakut dhe mishit të derrit të BE-së.