Gjatë takimeve të kësaj jave në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara thanë se dy shtete afrikane duhet të bëhen anëtare të përhershme në një nga organizmat kryesore vendimmarrëse të botës – Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Për vite, udhëheqës të ndryshëm afrikanë kanë bërë thirrje që kontinenti afrikan të ketë përfaqësim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore ka patur vetëm pesë anëtarë të përhershëm: Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë, Rusinë dhe Kinën.
Këtë javë, përfaqësuesi i një prej vendeve kryesore që janë anëtare të përhershme, Presidenti amerikan Joe Biden, dha mbështetjen e tij për këtë propozim. Propozimi shoqërohet megjithatë me një kusht të rëndësishëm, që analisti nga Kenia, Cliff Mboya thotë se nuk do të pritet mirë në kontinentin afrikan. Vendet e reja anëtare nuk do të kenë të drejtën e vetos.
“Ka patur reagime të shumta tashmë... duke e konsideruar këtë si një tallje. Pyetja shtrohet se çfarë kuptimi ka anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit nëse nuk ke fuqinë e vetos. Çfarë do të bësh atje?”, tha zoti Mboya.
Kjo mund të jetë në favor të Kinës, e cila e ka projektuar imazhin e saj prej kohësh si një vend mbështetës dhe udhëheqës për vendet në zhvillim, ndërkohë që kritikon Perëndimin për të kaluarën koloniale, thotë zoti Mboya, studiues në Qendrën për Studimet Afrikë-Kinë, në Universitetin e Johanesburgut.
“Pra, nuk mendoj se kjo i ndihmon Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin, për sa i përket perceptimit dhe imazhit, dhe vetëm do t’i shtyjë më shumë vendet afrikane të anojnë drejt Lindjes, pasi jep mesazh hipokrizie”, tha ai. “Kina ka arritur të ngrejë një koalicion vendesh në zhvillim kundër Shteteve të Bashkuara dhe rendit botëror të udhëhequr nga Perëndimi”.
Por, Paul Nantulya, studiues në Qendrën e Afrikës për Studime Strategjike, tha se njoftimi ishte një “fitore” për diplomacinë amerikane dhe do të mirëpritet nga vendet afrikane pasi i hap derën negociatave të mëtejshme.
“Për sa i përket Kinës, Kina ka bërë më tepër sehir. Pra, nga ana retorike Kina ka thënë të gjitha gjërat e duhura, duke mbështetur interesat e Afrikës, ato që ajo i quan interesat legjitime të Afrikës në Kombet e Bashkuara, përfshirë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", tha ai.
Por plani i Kinës për këtë ka qenë i paqartë, shtoi ai.
“Kur bëhet fjalë për detaje specifike, nëse Kina mbështet përfaqësimin e përhershëm të Afrikës në këshill me të drejtën e vetos, kur bëhet fjalë për këtë Kina nuk ka artikuluar një pozicion”.
Ndër ata që këtë javë bënë thirrje në Nju Jork për reforma në OKB, ishte edhe Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa. Ai tha se: "Afrika dhe 1.4 miliardë banorët e saj mbeten të përjashtuar nga strukturat kryesore vendimmarrëse".
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë gjithashtu thirrje për reforma, duke thënë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk reflekton botën që po ndryshon dhe se Afrika është e nënpërfaqësuar.
Disa vende afrikane duan që fuqia e vetos në Këshillin e Sigurimit të hiqet plotësisht.
Nëse bëhet reformë dhe Afrika merr dy vende në Këshillin e Sigurimit sipas propozimit të Shteteve të Bashkuara, ndër pretendentët kryesorë mund të jetë edhe vendi me ekonominë më të madhe të kontinentit, Afrika e Jugut; vendi më i populluar, Nigeria; ose vendi i rëndësishëm në Afrikën veriore, Egjipti, tha zoti Nantulya për Zërin e Amerikës.
Megjithatë, analistët thonë se një proces i ardhshëm për shtimin e vendeve afrikane si anëtarë të përhershëm, ka të ngjarë të përballet me pengesa, pasi do të ketë probleme me arritjen e konsensusit. Zoti Nantulya tha se disa politikanë afrikanë mendojnë se mund të krijojë ndasi ndërmjet vendeve në këtë kontinent.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se deklarata e Shteteve të Bashkuara mund të jetë thjesht retorikë – dhe deri më tani nuk është dhënë asnjë afat kohor në lidhje me hapat e ardhshëm. Sipas rregullave të OKB-së, një ndryshim në përbërjen e Këshillit të Sigurimit do të duhej të miratohej nga dy të tretat e Asamblesë së Përgjithshme, si dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit./VOA