Në Kombet e Bashkuara, konfliktet në Lindjen e Mesme në qendër të vëmendjes

Bota

Në Kombet e Bashkuara, konfliktet në Lindjen e Mesme në qendër të vëmendjes

Më: 27 shtator 2024 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti sot veprimet e shtetit të tij në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë Presidenti palestinez Mahmoud Abbas kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të veprojë për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të premten dhe tha se po e bënte këtë me qëllim që të hedhë poshtë të gjitha të pavërtetat, siç tha ai, që kishte dëgjuar gjatë javës nga udhëheqës të vendeve të tjera rreth konflikteve në Lindjen e Mesme.

“Nuk planifikoja të vija këtu këtë vit. Shteti im është në luftë, duke jetuar për jetën e tij. Por pasi dëgjova gënjeshtrat dhe shpifjet që i bëheshin shtetit tim nga shumë nga folësit këtu, vendosa të vija dhe të flisja”, tha zoti Netanyahu.

Kryeministri Netanyahu tha se Izraeli dëshiron paqe, por paralajmëroi Iranin, duke thënë “po na sulmuat, do t’ju sulmojmë”. Ai fajësoi Iranin se qëndron prapa shumë problemeve të rajonit. Ndërkohë që zoti Netanyahu po ngjitej tek foltorja, nga audienca u dëgjua rrëmujë.

“Erdha këtu për të folur për njerëzit e mi, për vendin tim, për të vërtetën. Dhe ja ku po u them të vërtetën. Izraeli do paqe... Njëkohësisht ne përballemi me armiq të pamëshirshëm që duan shkatërrimin tonë. Na duhet të mbrojmë veten nga këta vrasës të pamëshirshëm. Armiqtë tanë jo vetëm që duan shkatërrimin tonë, ata duan të shkatërrojnë civilizimin tonë të përbashkët dhe të na kthejnë në epokën e errët të tiranisë dhe terrorit", tha ai.

Të enjten, nga e njëjta foltore, Presidenti palestinez Mahmoud Abbas foli për mbi 41,000 palestinezë të vdekur gjatë 11 muajve të fundit në luftën ndërmjet Hamasit dhe Izraelit.

“Qindra familje palestineze janë asgjësuar. Mbiemra të tërë familjesh janë fshirë nga regjistrat civilë. Mbi 100 familje nuk janë më në regjistra. Nuk ekzistojnë më. Mijëra kanë vdekur si pasojë e përhapjes së sëmundjeve infektive dhe epidemive, si dhe mungesës së ilaçeve dhe ujit”, tha ai.

Presidenti palestinez nuk përmendi Hamasin, por ai iu referua sulmit terrorist të 7 tetorit, dënoi vrasjen e të gjithë civilëve dhe bëri thirrje për lirimin e të gjithë atyre “që po mbahen” – një referencë e tërthortë për pengjet e rrëmbyera nga Izraeli.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë për t’i dhënë fund luftës.

“Ndaleni këtë krim! Ndaleni tani! Ndaleni vrasjen e fëmijëve dhe grave! Ndaleni gjenocidin! Ndaleni dërgimin e armëve Izraelit! Kjo çmenduri nuk mund të vazhdojë”, tha ai.

Diplomatët amerikanë dhe francezë propozuan një armëpushim të përkohshëm për të ulur tensionet pas një valë sulmesh ajrore izraelite në pjesë jugore të Libanit dhe sulmeve me raketa të Hezbollahut në Izrael.

“Lufta nuk është e pashmangshme. Një zgjidhje diplomatike është gjithsesi e mundur. Ditëve të fundit, kemi punuar me partnerët tanë amerikanë për një marrëveshje për armëpushim të përkohshëm prej 21 ditësh që do t’u hapte rrugë negociatave,” deklaroi Ministri i jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot.

Takimet vjetore të Kombeve të Bashkuara gjithmonë shoqërohen me protesta. Të enjten, ndërkohë që Presidenti palestinez po mbante fjalimin, përkrahësit u mblodhën në afërsi të selisë së OKB-së për të kërkuar armëpushim në Gazë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat