BE-ja do të mbështesë financiarish Ukrainën edhe pa SHBA, ndërsa lufta hyn në një fazë kritike

Bota

BE-ja do të mbështesë financiarish Ukrainën edhe pa SHBA, ndërsa lufta hyn në një fazë kritike

Më: 27 shtator 2024 Në ora: 20:50
BE-ja do të mbështesë financiarish Ukrainën edhe pa SHBA, ndërsa lufta hyn në një fazë kritike

Lufta në Ukrainë ka hyrë në një periudhë kritike dhe Bashkimi Evropian ka vendosur që duhet të marrë përgjegjësinë për atë që e sheh si një kërcënim ekzistencial për sigurinë e vet bllokut, duke u përgatitur të mbajë një pjesë të barrës financiare, ndoshta edhe pa Shtetet e Bashkuara.

Të dërguarit e BE-së kanë punuar në Bruksel këtë javë për një propozim për t'i dhënë Ukrainës një paketë të madhe kredie me vlerë deri në 39 miliardë dollarë. Lajmi u njoftua nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë një udhëtimi në Kiev të premten e kaluar.

"Kjo kredi do të shkojë drejtpërdrejt në buxhetin tuaj", i tha ajo Presidentit Volodymyr Zelenskyy. "Ajo do t'ju ofrojë hapësirë fiskale të rëndësishme dhe shumë të nevojshme. Do të jeni ju që do vendosni se si t'i përdorni më mirë këto fonde, duke u dhënë fleksibilitet maksimal për të përmbushur nevojat tuaja”, shtoi ajo.

Zoti Zelenskyy po kërkon të blejë armë, të sigurojë strehimore kundër bombave si dhe të rindërtojë rrjetin e shkatërruar energjik të vendit ndërsa dimri po afron.

Por në çështjet ndërkombëtare, veçanërisht në ato që përfshijnë konflikte të mëdha, Bashkimi Evropian rrallë ndërmerr veprime pa Shtetet e Bashkuara. Megjithatë Brukseli shpreson se ky vendim do të inkurajojë të tjerët për të vepruar.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe lufta në Ukrainë

Ndërsa janë shënuar pothuajse 1000 ditë që nga sulmi i Rusisë në shkallë të gjerë, trupat ruse kanë shënuar përparime në lindje të Ukrainës. Kievi gëzon një kontroll të lehtë, të një pjesë të rajonit rus të Kurskut, që i dha një nxitje të përkohshme morale forcave ukrainase. Nga ana tjetër me rritjen e numrit të viktimave, Ukrainës po i mungojnë burimet njerëzore dhe armatimet.

Në frontin politik, zoti Zelenskyy shpreson të sigurojë mbështetje për një "plan fitoreje" që mund ta detyrojë Presidentin rus Vladimir Putin të ulet në tryezën e bisedimeve. Ai po përpiqet të bindë Presidentin amerikan Joe Biden si dhe vendet e tjera aleate që të ndihmojnë në forcimin e pozitave të Ukrainës në çdo bisedim të ardhshëm.

Por ndërsa zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrojnë, sondazhet sugjerojnë se Donald Trumpi mund të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Trump ka qenë kritik për ndihmën amerikane ndaj Ukrainës. Të mërkurën, ai tha se zoti Zelenskyy duhet t’i kishte bërë lëshime zotit Putin përpara se të niste sulmi rus në shkurt të vitit 2022.

Shumica e 27 vendeve të BE-së druhen se një fitore e zotit Putin do të çonte në pasiguri të thellë.

Trupat ushtarake ruse janë dobësuar dhe aktualisht janë të paafta për një tjetër luftë, megjithatë rreziku për marrje territoresh në të ardhmen në Estoni, Letoni, Lituani ose Poloni, vazhdon të mbetet.

Ripërpunimi i një plani kredie të G7

Kreditë e BE-së janë pjesë e një plani të Grupit të Shtatë Vendeve më të industrializuara të Botës, (G7) për të përfituar nga interesi i fituar nga rreth 250 miliardë dollarë prona të ngrira ruse, shumica e tyre të konfiskuara në Evropë. Këto fitime vlerësohen të jenë rreth 5 deri në 6 miliardë dollarë në vit.

Një gjë e tillë mbështet planin e G7-ës.

BE-ja do të siguronte 20 miliardë dollarë, SHBA-ja 20 miliardë dollarë dhe Kanadaja, Japonia dhe Britania e Madhe 10 miliardë dollarë së bashku, pra një total prej 50 miliardë dollarësh.

Skema skadon në fund të vitit, përpara se presidenti i ardhshëm amerikan të marrë detyrën.

Por mes mosmarrëveshjesh se për sa kohë duhet të garantohet ngrirja e pronave ruse, BE-ja ka vendosur të vazhdojë e vetme përpara.

Oferta e saj prej 39 miliardë dollarësh në kredi mbulon pothuajse të gjithë pjesën që do t’i duhej të kontribuonin Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja dëshiron të garantojë që pronat të jenë të ngrira për të paktën tre vjet për të garantuar të ardhurat. Por Hungaria anëtare e BE-së këmbëngul se ky vendim duhet rishikuar çdo gjatë muaj. Kryeministri hungarez Viktor Orbán e sheh veten si një person që punon për paqe dhe shumë prej aleatëve evropianë e shohin si të afërt me Presidentin Putin.

Njëzet e gjashtë vendet e tjera të BE-së mendojnë se duhet të bëjnë përpara me këtë çështje dhe tani sepse koha po mbaron.

BE dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara

Zgjedhjet në SHBA janë vetëm disa javë larg. Evropianët po tregohen të matur me paparashikueshmërinë që paraqet zoti Trump dhe po vënë në prove skenarë për t’u mbrojtjen nga çdo lloj goditjeje, siç ishte rritja e tarifave, me të cilën u përballën kur zoti Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Por ata po shohin se edhe demokratët janë përqendruar më shumë në çështjet e brendshme këto ditë.

Akti i zotit Biden për reduktimin e inflacionit shkaktoi zemërim tek udhëheqësit evropianë ër shkak të rregullave që favorizojnë produktet amerikane. Kina dhe lufta në Lindjen e Mesme janë prioritete të politikës së jashtme të kandidatëve demokratë dhe republikanë, dhe tani për tani SHBA-ja është ngërthyer nga ethet e fushatës zgjedhore.

BE-ja shpreson që Nënpresidentja Kamala Harris, nëse zgjidhet presidente, të hyjë në programin e kredisë siç ishte planifikuar më parë dhe të ulë barrën financiare të BE-së. Por tani për tani pikëpyetjet mbi këtë çështje mbeten. Por anëtarët e BE-së thonë se pozicioni i Ukrainës është shumë i pasigurt, për të hezituar.

Mosmarrëveshjet politike në Kongresin amerikan vitin e kaluar që çuan në vonesa për miratimin e një paketë ndihmash prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën, i lanë trupat e këtij vendi pa armë dhe municione për muaj të tërë, duke rezultuar në "pasoja reale në fushën e betejës", sikurse është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Nevojat e ngutshme

Të ndihmosh Ukrainën në aspektin ushtarak është një sfidë për evropianët. Ata nuk mund ta bëjnë këtë të vetëm dhe nuk mund të krahasohen me epërsinë që kanë Shtetet e Bashkuaran nga pikëpamja e transportit, logjistikës dhe pajisjeve, pavarësisht progresit në rritjen e industrive të tyre të mbrojtjes, për furnizimin me armë dhe municione.

Megjithatë blloku më i madh tregtar në botë ka fuqi ekonomike. Ai tashmë i ka dhënë Ukrainës rreth 132 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës. Brukseli duket i gatshëm që të sigurojë brenda disa javësh me dhjetëra miliarda të tjera, edhe pse vazhdimi i kësaj rruge, vetëm, nuk është në ADN-në e BE-së.

“Nuk e di se çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara me presidentin e ri”, tha të martën Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Por ai shtoi se “përderisa ukrainasit duan të rezistojnë, ne duhet t'i mbështesim ata. Përndryshe, ne do të bëjmë një gabim historik”.

Administrata Biden njoftoi të mërkurën se SHBA-të do t'i dërgojë Ukrainës një paketë të madhe ndihme ushtarake, përfshirë bomba thërrmuese dhe një sërë raketash, artileri dhe automjete të blinduara. Një zyrtar amerikan tha gjithashtu se me miliarda dollarë të tjerë në ndihmë, do të mbërrinin gjatë muajve të ardhshëm.

Ndërkohë, diskutimet mbi pjesën që i takon BE-së në paketën e huasë të G7-ës do të kryesojnë axhendën e një takimi të nivelit të lartë mes udhëheqësve të bllokut, që mbahet në Bruksel në data 17 dhe 18 tetor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat