Papa Françesku shprehu sot "dhimbjen" e tij për shkak të përhapjes së konflikteve në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për një armëpushim, duke thënë se nuk duhet të harrohet "Ukraina e vuajtur".
Ai gjatë meshës në stadiumin “King Baudouin” në Bruksel u bëri thirrje besimtarëve të luten së bashku për paqen, "për të vuajturit, Ukrainën, Palestinën dhe Izraelin, Sudanin, Mjanmarin dhe të gjitha vendet e prekura nga lufta".
"Vazhdoj të ndjek me dhimbje dhe shqetësim të madh përhapjen dhe intensifikimin e konfliktit në Liban. Kjo luftë ka efekte shkatërruese për popullatën. Njerëzit vazhdojnë të vdesin dita-ditës në Lindjen e Mesme.
Ne lutemi për viktimat, familjet e tyre, ne lutemi për paqen. U bëj thirrje të gjitha palëve për një armëpushim të menjëhershëm në Liban, Gaza, në pjesën tjetër të Palestinës, në Izrael. Le të lirohen pengjet dhe të lejohet dërgimi i ndihmave humanitare. Të mos harrojmë Ukrainën e vuajtur", tha Papa.