Dy e treta e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar që nga fillimi i luftës në Gazë në tetor të vitit 2023, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në përditësimin e fundit të raportit vlerësues të dëmeve, Qendra Satelitore e OKB-së (UNOSAT) tha se imazhet me rezolucion të lartë të mbledhura më 3 dhe 6 shtator tregojnë një përkeqësim të dukshëm.
“Kjo analizë... tregon se dy të tretat e totalit të strukturave në Rripin e Gazës kanë pësuar dëme”, tha UNOSAT.
“Totali prej 66 përqind të ndërtesave të dëmtuara në Rripin e Gazës përfshin gjithsej 163.778 struktura”, thuhet tutje në vlerësimin e UNOSAT-it.
Vlerësimi paraprak, bazuar në imazhe nga fillimi i korrikut, kishte përcaktuar se 63 përqind e strukturave në këtë territor palestinez kishin pësuar dëme.
Përditësimi i së hënës bëri të ditur se dëmet tani përfshijnë “52.564 struktura të shkatërruara; 18.913 struktura të dëmtuara rëndë; 35.591 struktura të mundshme të dëmtuara; dhe 56.710 të prekura mesatarisht”.
UNOSAT dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së raportuan gjithashtu se rreth 68 përqind e fushave të kulturave të përhershme në Gazë treguan një “rënie të ndjeshme në shëndetin dhe dendësinë” e tyre në shtator.
Sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor rezultoi në vdekjen e 1.205 personave, kryesisht civilë, sipas një bilanci të AFP-së, bazuar në shifrat zyrtare izraelite që përfshijnë pengjet e vrara në robëri.
Ofensiva ushtarake hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 41.615 persona në Gazë, shumica prej tyre civilë, sipas shifrave të ofruara nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja. Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar këtë numërim si të besueshëm.
Binjakët e sapolindur vriten nga një sulm izraelit në Gazë derisa babai i tyre po i regjistronte
UNOSAT, pjesë e Institutit të OKB-së për Trajnim dhe Kërkim (UNITAR) në Gjenevë, thotë se analiza e saj e imazheve satelitore ndihmon komunitetin humanitar të vlerësojë përmasat e dëmeve nga konflikti dhe ndihmon në formësimin e përpjekjeve të ndihmës emergjente.
“Në vitin e fundit, ekipi i UNOSAT-it ka punuar pa pushim për të ofruar informacione të sakta dhe të përditësuara mbi ndikimin e konfliktit në ndërtesat dhe infrastrukturën në Gazë,” tha drejtori ekzekutiv i UNITAR-it, Nikhil Seth.