Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton për konfliktin që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Iranin nga ky takim që të mos sulmojë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
“Veprimet tona janë mbrojtëse”, deklaroi Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield. “Më lejoni të jem e qartë: regjimi iranian do të mbahet përgjegjës për veprimet e tij. Paralajmërojmë seriozisht Iranin – dhe grupet e afërta me te – që të mos ndërmarrin veprime kundër Shteteve të Bashkuara, apo kundër Izraelit,” tha ajo.
Ajo tha se Këshilli i Sigurimit duhet të dënojë sulmin e Iranit dhe të vendosë “pasoja serioze” ndaj Rojës Revolucionare të Iranit për veprimet e saj.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të përshkallëzimit dhe shkëmbimit të sulmeve, që sipas tij po i çojnë popujt e Lindjes së Mesme “drejt humnerës”.
“Është e një rëndësie thelbësore që të shmangim një luftë të plotë në Liban, që do të kishte pasoja tepër të rënda,” shtoi ai.
Ai dënoi sulmin e Iranit ndaj Izraelit, si dhe sulmet e Hamasit dhe Hezbollahut, ndërkohë që kritikoi Izraelin, për atë që e quajti, “fushatën më të përgjakshme dhe më shkatërrimtare ushtarake gjatë mandatit të tij si sekretar i përgjithshëm” duke iu referuar konfliktit në Gazë pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit.
“Është koha e fundit për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë,” deklaroi ai. “Është koha e fundit për t’u dhënë fund luftimeve në Liban... Është koha e fundit për të ndalur këtë cikël të rëndë përshkallëzimi.”
Në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të martën, Irani justifikoi sulmin ndaj Izraelit si akt të vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së, duke cituar “veprimet agresive” të Izraelit, përfshirë shkeljen e sovranitetit të Iranit.
Ndërkohë, ministri i jashtëm i Izraelit njoftoi sot se i ka ndaluar hyrjen zotit Guterres në Izrael, duke e akuzuar se është treguar i njëanshëm ndaj Izraelit.
Ministri izraelit Israel Katz tha se Izraeli e ka shpallur zotin Guterren ‘persona non grata’.
Ky vendim thellon çarjet ekzistuese ndërmjet Izraelit dhe Kombeve të Bashkuara.
Izraeli po ashtu njoftoi të mërkurën se shtatë ushtarë të tij janë vrarë gjatë luftimeve në Liban. Vdekjet e tyre u bën të ditura të mërkurën, një ditë pasi Izraeli njoftoi se kishte filluar ofensivën tokësore në Liban.
Luftimet ndërmjet ushtarëve izraelitë dhe militantëve të Hezbollahut po vazhdojnë në pjesën jugore të Libanit, sipas njoftimeve të të dyja palëve.
Izraeli njoftoi se do të dërgonte më shumë trupa dhe artileri në zonën kufitare./VOA