Zbulohet shuma rekord e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Izraelin që nga fillimi i luftës në Gaza

Bota

Zbulohet shuma rekord e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Izraelin që nga fillimi i luftës në Gaza

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 17:47
Foto nga takimi

Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar një shumë rekord prej të paktën 17.9 miliardë dollarësh për ndihmën ushtarake për Izraelin që nga fillimi i luftës në Gaza, sipas një raporti të ri.

Sipas Sky News, një shtesë prej 4,86 miliardë dollarësh janë shpenzuar në operacionet e shtuara ushtarake të SHBA-së në rajon që nga sulmet e 7 tetorit 2023, zbuluan studiuesit nga projekti Kostot e Luftës i Universitetit Brown.

Kjo përfshin kostot e një fushate të udhëhequr nga marina për të shuar sulmet ndaj anijeve komerciale nga Houthi-t e Jemenit, të cilët po i kryejnë ato në solidaritet me Hamasin.

Ndihma e SHBA-së përfshin gjithashtu financimin ushtarak, shitjet e armëve, të paktën 4.4 miliardë dollarë tërheqje nga rezervat dhe pajisjet e përdorura të SHBA-së, thuhet në raport.

Administrata Biden ka shtuar forcën e saj ushtarake në rajon që nga shpërthimi i konfliktit, duke synuar të pengojë dhe t’i përgjigjet çdo sulmi ndaj forcave izraelite dhe amerikane.

SHBA-ja është e përkushtuar t’i japë Izraelit 3.8 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2028, si pjesë e një marrëveshjeje të mbrojtjes të nënshkruar për herë të parë gjatë administratës së Barack Obamës.

Megjithatë, nevojat imediate të luftës e kanë tejkaluar në mënyrë dramatike këtë financim të planifikuar.

Dhe përveç ndihmës ushtarake, SHBA-ja ka rritur praninë e saj ushtarake në rajon.

Të dhënat vijnë në kohën kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se gati një vit pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, vendi i tij tani po lufton në shtatë fronte.

Ai tha se ato përfshijnë Hezbollahun e mbështetur nga Irani në veri, Hamasin në Gaza, Houthi-t në Jemen, “terroristët” në Bregun Perëndimor dhe milicitë shiite në Irak dhe Siri.

“Dhe ne po luftojmë kundër Iranit, i cili javën e kaluar gjuajti mbi 200 raketa balistike direkt në Izrael dhe që qëndron pas kësaj lufte me shtatë fronte kundër Izraelit”, citohet të ketë thënë Netanyahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat