​Ukraina kërkon sanksione ndaj Koresë së Veriut për përfshirje në luftë

Bota

​Ukraina kërkon sanksione ndaj Koresë së Veriut për përfshirje në luftë

Më: 16 tetor 2024 Në ora: 20:08
Foto ilustrim

Ukraina u bëri thirrje sot aleatëve të saj të vendosin sanksione të reja ndaj Phenianit, duke thënë se Koreja e Veriut është bërë një pjesëmarrëse në luftën në Ukrainë në anën e Rusisë.

Duke folur për planin e tij të fitores, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha në parlament se shërbimet e tij të inteligjencës kishin konfirmuar se Koreja e Veriut po furnizonte Rusinë me armë dhe fuqi punëtore.

"Këta janë punëtorë për fabrikat ruse për të zëvendësuar rusët e vrarë në luftë. Dhe fuqi punëtore për ushtrinë ruse. Në fakt, kjo përfaqëson pjesëmarrjen e një vendi tjetër në luftën kundër Ukrainës në anën e Rusisë," tha Zelensky.

Rusia dhe Koreja Veriore kanë hedhur poshtë akuzat, por kanë thënë se do të forcojnë lidhjet ushtarake, të cilat mund të përfshijnë stërvitje të përbashkëta.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha tha se aleatët e Kievit duhet të përgjigjen me vendosmëri, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve të reja dhe izolimin e mëtejshëm të Phenianit, i cili është afruar më shumë me Rusinë që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.

"Ky është një kërcënim i madh i përshkallëzimit të mëtejshëm. Ne po i afrohemi një faze të re, realiteteve të reja të luftës," tha ai në një konferencë shtypi në Odesa.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, deklaroi dje, se përfshirja e trupave të Koresë së Veriut në Ukrainë, nëse është e vërtetë, do të përfaqësonte një forcim të rëndësishëm të marrëdhënieve të mbrojtjes midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.

Uashingtoni thotë gjithashtu se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike dhe municione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat