Dhuna dhe uria në Sudan përzënë 25 mijë njerëz përtej kufirit në një javë

Bota

Dhuna dhe uria në Sudan përzënë 25 mijë njerëz përtej kufirit në një javë

Më: 22 tetor 2024 Në ora: 13:33
Foto ilustrim

Refugjatët dhe agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për përkeqësimin e kushteve në kampet e mbipopulluara dhe të pa financuara në Chad, pasi dhuna dhe kriza e urisë në Sudan çojnë një numër të madh përtej kufirit.

Rreth 25 mijë njerëz – shumica dërrmuese gra dhe fëmijë – kaluan në Chad-in lindor në javën e parë të tetorit, një numër rekord për një javë të vetme në vitin 2024.

Chad-i, një nga vendet më të varfra në botë, pret 681 mijë e 944 refugjatë sudanezë – numri më i lartë globalisht.

Kushtet janë veçanërisht të vështira në kampin Farchana, thonë refugjatët që u zhvendosën atje në fillim të këtij viti nga kampi Adre në kufi.

Të ardhurit e rinj iu bashkuan sudanezëve që kanë jetuar në kamp që nga gjenocidi në Darfur në vitet 2000.

Refugjatët e intervistuar nga The Guardian në të dy kampet folën për dëshpërimin e tyre për kushtet me të cilat përballeshin. Shumë do të lëvizin drejt Italisë, vendeve të tjera evropiane, Afrikës Jugore dhe Gjirit, ka thënë OKB.

Hatim Abdallah El-Fadil, i emëruar shef i kampit Farchana nga shokët e tij refugjatë, tha se disa sudanezë kishin dalë për të lypur në tregun e qytetit për të ngrënë.

39-vjeçari, baba i katër fëmijëve tha se shumë nga ata që u transferuan në Farchana ishin kthyer në Adré sepse mundësitë e punës ishin më të mira atje.

“Shumë njerëzve këtu u është dashur të shesin pasurinë e tyre për të siguruar jetesën”.

Unë me të vërtetë nuk e di se si ata mund të vazhdojnë të mbijetojnë kështu”.

Mungesa e arsimit është gjithashtu një shqetësim i rëndësishëm. Fëmijët më të vegjël po marrin mësime sporadike nga refugjatët që rastësisht janë mësues, duke përdorur libra që i nxorën kontrabandë nga qyteti i Geneina në Darfur.

Adoleshentët që nuk ndiqnin shkollën ishin në rrezik për t’u bërë “një brez i humbur”, thanë refugjatët për The Guardian.

Lufta është ndezur që nga prilli 2023 midis ushtrisë sudaneze nën sundimtarin de fakto të vendit, Abdel Fattah al-Burhan, dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) të udhëhequra nga ish-zëvendësi i tij Mohamed Hamdan Dagalo.

Të dyja palët janë akuzuar për krime lufte, duke përfshirë shënjestrimin e civilëve dhe bllokimin e ndihmës humanitare.

Konflikti ka lënë dhjetëra mijëra të vdekur dhe 26 milionë njerëz përballen me pasiguri të rëndë ushqimore, me urinë e shpallur në kampin e zhvendosjes Zamzam në Darfur.

Pavarësisht nga vështirësitë me të cilat përballen refugjatët në Chad, kërcënimi i dhunës ekstreme në Sudan, veçanërisht në Darfur, dhe një krizë në rritje urie po shtyjnë një numër gjithnjë e më të madh njerëzish të ikin atje.

Javën e kaluar, ekspertët e emëruar nga OKB-ja akuzuan të dyja palët në luftë për përdorimin e “taktikave të urisë” kundër 25 milionë civilëve, duke lënë 97% të popullsisë së Sudanit të përballet me “nivele të rënda urie”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat