Shefi i Pentagonit konfirmon se Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë në Rusi

Bota

Shefi i Pentagonit konfirmon se Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë në Rusi

Më: 23 tetor 2024 Në ora: 15:46
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. 

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ka dëshmi që Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë në Rusi, teksa shefi i spiunazhit në Korenë e Jugut u tha ligjvënësve se 3.000 trupa koreanoveriore janë në Rusi dhe po trajnohen se si të operojnë me dronë dhe pajisje të tjera, para se të dislokohen në fushëbetejat në Ukrainë.

“Çfarë po bëjnë ata saktësisht? Mbetet të shihet. Ka gjëra të cilat ne duhet t’i qartësojmë”, tha Austin për gazetarët më 23 tetor.

Nëse ushtarët i bashkohen luftës në Ukrainë, duke luftuar në anën e Rusisë, kjo do të jetë “një problem shumë, shumë serioz”, tha Austin, duke shtuar se një zhvillim i tillë do të kishte ndikim në Evropë dhe në rajonin e Indo-Paqësorit.

Fillimisht, javën e kaluar inteligjenca e Seulit tha se marina ruse kishte pranuar 1.500 pjesëtarë të forcave speciale të Koresë së Veriut, ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më herët kishte thënë se Qeveria e tij kishte informacione se 10.000 ushtarë të Koresë së Veriut po përgatiten që t’iu bashkohen forcave pushtuese ruse.

Paraprakisht, SHBA-ja dhe NATO-ja nuk kishin konfirmuar raportimet për dislokimin e ushtarëve të Koresë së Veriut, por kishin paralajmëruar se një dislokim i tillë do të ishte një zhvillim i rrezikshëm.

Rusia dhe Koreja e Veriut deri më tani kanë mohuar se ka pasur dislokim të ushtarëve të Phenianit.

Shefi i shërbimit të inteligjencës së Koresë së Jugut, Cho Tae-yong, u tha ligjvënësve se edhe 1.500 trupa të tjerë të Koresë së Veriut kanë shkuar në Rusi, tha ligjvënësi Park Sunwon, i cili mori pjesë në këtë takim të zhvilluar prapa dyerve të mbyllura.

Cho u tha ligjvënësve se agjencia që ai udhëheq vlerëson se Koreja e Veriut synon të dislokojë në total 10.000 trupa në Rusi deri në muajin dhjetor, u tha Park gazetarëve.

Sipas ligjvënësit Park, Cho tha se 3.000 ushtarë të Koresë së Veriut që janë dërguar në Rusi janë ndarë në disa baza ushtarake dhe janë duke u trajnuar. Cho tha se beson që ushtarët e Koresë së Veriut ende nuk janë dislokuar në fushëbeteja.

Koreja e Veriut dhe Rusia së fundi kanë thelluar bashkëpunimin e tyre ushtarak, teksa më herët gjatë këtij viti dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje në fushën e mbrojtjes./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat