SHBA pritet t’i shesë Tajvanit armatime të reja, përfshirë një sistem raketash që përdoret në Ukrainë

Bota

SHBA pritet t’i shesë Tajvanit armatime të reja, përfshirë një sistem raketash që përdoret në Ukrainë

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 21:36
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara morën vendim t'i shesin armë në vlerën e 2 miliardë dollarëve Tajvanit, përfshirë dërgimin për herë të parë në ishull, të një sistemi të mbrojtjes ajrore që është provuar në Ukrainë, njoftoi Pentagoni të premten.

Shtetet e Bashkuara janë të detyruara me ligj t'i ofrojnë Tajvanit mjete për të mbrojtur veten, pavarësisht mungesës së lidhjeve zyrtare diplomatike. Një gjë e tillë ka shkaktuar zemërimin e vazhdueshëm të Pekinit.

Kina ka rritur presionin ushtarak kundër Tajvanit, duke zhvilluar një raund të ri stërvitjesh ushtarake pranë ishullit javën e kaluar, hera e dytë që kur Lai Ching-mori detyrën si president i Tajvanit, në muajin maj.

Pentagoni tha se sasi e re e armëve përbëhej nga 1.16 miliardë dollarë në sisteme të mbrotjes ajrore si dhe radarë në vlerën e rreth 828 milionë dollarëve.

“Kjo shitje e propozuar i shërben interesave kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë së SHBA-së e mbështet përpjekjet e vazhdueshme të (Tajvanit) për të modernizuar forcat e tij të armatosura dhe për të ruajtur një aftësi të besueshme mbrojtëse”, thuhej në deklaratën e Pentagonit.

"Shitja e propozuar do të ndihmojë në përmirësimin e sigurisë së Tajvanit si dhe do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit politik, ekuilibrit ushtarak dhe përparimit ekonomik në rajon".

Kjo është hera e parë që Pentagoni i dërgon Tajvanit sistemin e avancuar të mbrotjes ajrore NASAMS.

Sistemi NASAMS është testuar në fushëbetejë në Ukrainë dhe përfaqëson një rritje të konsiderueshme të aftësive të mbrojtjes ajrore që Shtetet e Bashkuara po eksportojnë drejt ishullit.

Një burim i qeverisë amerikane i tha agjencisë 'Reuters' se NASAMS është një armë e re për Tajvanin, dhe se Australia dhe Indonezia janë të vetmet vende në rajon që operojnë një sistem të tillë aktualisht.

Ministria e mbrojtjes e Tajvanit përshëndeti njoftimin, duke vënë në dukje faktin se sistemi i ka dhënë tashmë provat në Ukrainë, duke shtuar se NASAMS se do të ndihmonte në forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, përballë manovrave të shpeshta ushtarake të Kinës.

Kina e ka shprehur hapur dhe me forcë kundërshtinë e saj ndaj Presidentit të Tajvanit Lain dhe ka kundërshtuar thirrjet e tij të përsëritura për bisedime.

Zoti Lai i ka hedhur poshtë pretendimet e Pekinit lidhur me ishullin duke thënë se vetëm banorët e Tajvanit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.

Pekini vazhdoi të shtunën sulmet ndaj zotit Lai dhe tha se e ardhmja e Tajvanit është ribashkimi i plotë me Kinën./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat