Presidenti kinez Xi Jinping i kërkoi Presidentit amerikan Joe Biden vitin e kaluar që të ndryshojë gjuhën, që Shtetet e Bashkuara përdorin kur shpjegojnë qëndrimin e tyre për pavarësinë e Tajvanit, sipas dy zyrtarëve amerikanë me njohuri mbi përmbajtjen e bisedës private.
Gjatë takimit Biden-Xi nëntorin e kaluar në San Franciskos, Presidenti Xi dhe ndihmësit e tij i kërkuan Presidentit Biden dhe ekipit të tij të ndryshonin gjuhën në deklaratat zyrtare të Shteteve të Bashkuara.
Kina donte që Shtetet e Bashkuara të shpreheshin se "ne kundërshtojmë pavarësinë e Tajvanit", në vend të versionit aktual "nuk e mbështesim" pavarësinë e ishullit të vetëqeverisur, thanë zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një personi tjetër të njohur me këtë shkëmbim, ndihmësit e Presidentit kinez Xi vazhduan ta kërkonin këtë edhe në muajt pasues.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë pranuar ta bëjnë ndryshimin.
Shtëpia e Bardhë iu përgjigj një kërkese për koment me një deklaratë që përsëriste qëndrimin se Uashingtoni nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit. “Administrata Biden-Harris ka qenë konsistente në politikën tonë të kahershme të Një Kine”, thuhej në deklaratë.
Ministria e Jashtme e Kinës tha: "Ju duhet t'ia bëni këtë pyetje qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Qëndrimi i Kinës për çështjen e Tajvanit është i qartë dhe konsistent".
Ministria e Jashtme e Tajvanit nuk pranoi të komentonte për këtë çështje.
Qeveria e Republikës së Kinës u zhvendos në Tajvan në vitin 1949 pasi humbi luftën civile me komunistët e Mao Ce Dunit.
‘Republika e Kinës’ mbetet emri zyrtar i Tajvanit dhe qeveria thotë se nuk ka plane ta ndryshojë atë pasi ata janë tashmë një shtet sovran dhe i pavarur dhe Pekini nuk ka të drejtë të pretendojë se Tajvani është pjesë e territorit të tij.
Një çështje delikate
Për disa vite, diplomatët kinezë i kanë kërkuar me ngulm Shteteve të Bashkuara që të bëjnë ndryshime në mënyrën se si shprehen lidhur me statusin e Tajvanit, që mbetet një nga çështjet më delikate në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Përpjekja jashtëzakonisht e drejtpërdrejtë dhe e përsëritur në nivelin presidencial nuk është raportuar më parë.
Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet zyrtare me qeverinë në Taipeit në vitin 1979, por janë të detyruara me ligj t'i ofrojnë Tajvanit të qeverisur në mënyrë demokratike mjetet për t'u mbrojtur. Kina e konsideron Tajvanin si territor të saj dhe kurrë nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës për ta vendosur ishullin nën kontrollin e saj.
Nuk ishte e qartë se përse Presidenti kinez Xi zgjodhi ta ngrejë çështjen me Presidentin Biden, por ai e ka bërë kundërshtimin e pavarësisë së Tajvanit çështje parësore gjatë mandateve të tij dhe ushtria e Kinës ka rritur ndjeshëm aktivitetet e saj rreth tij në vitet e fundit.
Administrata e Presidentit Biden e konsideron ndryshimin e propozuar të gjuhës si një çështje që nuk është e hapur për diskutim.
Tajvani u informua mbi hapat e fundit të Pekinit në një takim të nivelit të lartë me zyrtarë nga Uashingtoni, tha njëri nga burimet.
Udhëheqësit në Pekin "padyshim që do të donin që Presidenti Joe Biden t’i thoshte gjërat shumë më ndryshe për Tajvanin", tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke shtuar se Presidenti Biden do t'i përmbahej qëndrimit zyrtar të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Tajvanit.
Gjatë kohës së tij në detyrë, Presidenti Biden ka mërzitur qeverinë kineze me komente, që dukej se sugjeronin se Shtetet e Bashkuara do të mbronin ishullin e Tajvanit nëse ai sulmohej, një devijim nga një pozicion i kahershëm i Shteteve të Bashkuara për "paqartësi strategjike".
Ndryshimi do të shkaktonte jehonë të madhe
Një ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara, që do të përfshinte kundërshtimin e pavarësisë së Tajvanit, do shkaktonte reagime të forta në rajonin e Azi-Paqësorit, tregtinë, partnerët, konkurrentët dhe rivalët e Uashingtonit.
Zyrtarë nga dy qeveri në rajon i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se do ta interpretonin një ndryshim të tillë të politikës amerikane si një mbështetje më të vogël për mbrojtjen dhe aspiratat diplomatike të Taipeit në një kohë kur Pekini ka rritur trysninë ushtarake.
Kina gjatë pesë viteve të fundit ka organizuar aktivitete pothuajse të përditshme ushtarake rreth Tajvanit. Në fillim të këtij muaji, Pekini organizoi stërvitje të mëdha ushtarake detare dhe tokësore duke simuluara bllokimin e ishullit. Sipas zyrtarëve të Tajvanit, në këto stërvitje u angazhua një numër rekord avionësh ushtarakë, 153.
Anketat në Tajvan tregojnë se shumica e njerëzve mbështesin ruajtjen e status kuosë, duke mos kërkuar bashkimin me Kinën ose krijimin e një shteti të ri.
Në vitin 2022, Departamenti i Shtetit ndryshoi informacionin mbi Tajvanin në faqen e tij të internetit, duke hequr formulimin për mos mbështetje të pavarësisë së Tajvanit dhe atë për pranimin e pozicionit të Pekinit se Tajvani është pjesë e Kinës, gjë që zemëroi kinezët. Më vonë vendimi për këtë çështje u rikthye.
Dy udhëheqësit pritet të flasin sërish përpara se të përfundojë mandati i Presidentit Biden në janar. Ata mund të bisedojnë në telefon, mund të takohen në samitin e G20-ës muajin e ardhshëm në Brazil apo në samitin e APEC-ut në Peru. APEC, Bashkëpunimi Ekonomik i Azi-Paqësorit, është një nga forumet e pakta ndërkombëtare, në të cilin marrin pjesë Tajvani dhe Kina.
Presidenti demokrat do t'ia dorëzojë çështjen e tensionuar të Tajvanit pasuesit të tij, Nënpresidentes demokrate Kamala Harris ose ish-Presidentit republikan Donald Trump, pas zgjedhjeve të 5 nëntorit./VOA