Fitorja e republikanit Donald Trump, pasiguri dhe shpresë për Ukrainën

Bota

Fitorja e republikanit Donald Trump, pasiguri dhe shpresë për Ukrainën

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 16:24
Volodymyr Zelenskyy, Donald Trump

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ishte ndër udhëheqësit e parë botërorë që uroi presidentin e porsazgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova, njofton nga Kievi se shumë ukrainas thonë se druhen se zoti Trump mund të përmbushë një premtim të fushatës për t'i dhënë fund luftës, duke e detyruar Ukrainën të nënshkruajë një zgjidhje që do të favorizonte Rusinë.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy e uroi zotin Donald Trump për fitoren e zgjedhjeve presidenciale të martën. Ai e quajti atë një fitore "mbresëlënëse" dhe tha se e vlerëson angazhimin e zotit Trump për qasjen “paqe përmes fuqisë” në trajtimin e çështjeve globale. Por reagimet janë të ndryshme në rrugët e Kievit. 

“Mund të presim gjithçka prej tij. Ai mund të vazhdojë politikën e administratës së zotit Biden, mund të jetë më i keq, ose më i mirë”, thotë Mykhailo, banor i Kievit.

“Ai tha se lufta do të përfundonte brenda 24 orëve pasi të bëhet president. Jemi në pritje”, thotë Myroslava, banore e kryeqytetit ukrainas.

Analisti politik, Volodymyr Fesenko, thotë se qëndrimi i shumë njerëzve në shoqërinë ukrainase ndaj zotit Trump reflekton dallimin në opinionet se si duhet të përfundojë lufta me Rusinë.

“Një pjesë e shoqërisë favorizon vazhdimin e rezistencës ndaj agresionit rus. Çdo lëshim ndaj Rusisë e cilësojnë të padrejtë. Një pjesë tjetër është në favor të fillimit të negociatave”.

Shumë ukrainas shtrojnë pyetjen se cilat do të jenë hapat e parë të administratës së Presidentit Trump ndaj Rusisë dhe Ukrainës pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Disa shprehin drojën e trysnisë ndaj Ukrainës për një marrëveshje që do ta detyronte atë të kapitullonte në fushën e betejës dhe të hiqte dorë nga aspiratat euroatlantike.

Ndërsa shtohen humbjen e Ukrainës, disa thonë se fitorja e zotit Trump sjell shpresa për veprime vendimtare për t’i dhënë fund luftës së gjatë dhe me kosto të lartë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat