Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar në ligj një marrëveshje partneriteti strategjik me Korenë e Veriut që përfshin një dispozitë të mbrojtjes reciproke, sipas një dekreti të botuar të shtunën.
Marrëveshja, e nënshkruar në qershor nga Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un, pas samitit në Phenian, parashikon ndihmën e ndërsjellë të nënshkruesve në rast të një sulmi ushtarak. Dhoma e Lartë e Parlamentit rus ratifikoi traktatin këtë javë, ndërsa dhoma e ulët e miratoi atë muajin e kaluar.
Putin nënshkroi dekretin e ratifikimit, i cili tani është publikuar në faqen e internetit të qeverisë.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Phenianit janë afruar më shumë që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022. Sipas raporteve nga Koreja e Jugut dhe vendet perëndimore, Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me armë.
Ekspertët ukrainas të mjekësisë ligjore thonë se kanë gjetur gjurmë të armëve të Koresë së Veriut në vendet e sulmeve ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se Koreja e Veriut kishte dërguar 11 mijë trupa në Rusi dhe se disa forca veri-koreane kishin pësuar humbje në luftimet me trupat ukrainase në rajonin jugor rus Kursk. Rusia nuk e ka konfirmuar praninë e trupave të Koresë së Veriut.