Policia holandeze ndaloi të dielën më shumë se 100 protestues pro-palestinezë që thyen vendimin që ndalon protestat në Amsterdam, pas përleshjeve me tifozët izraelitë javën e shkuar.
Qindra protestues u mblodhën në sheshin Dam të kryeqytetit holandez duke bërë thirrje si “Palestina e Lirë” dhe “Amsterdami i thotë jo gjenocidit në Gazë”, duke iu referuar luftës në Gazë. Izraeli ka mohuar të ketë kryer gjenocid në ofensivën më shumë se 1 -vjeçare ndaj grupit militant palestinez Hamas.
Pasi gjykata la në fuqi vendimin e marrë nga Këshilli i Qytetit, policia veproi duke udhëzuar protestuesit të largoheshin dhe rrethoi 100 prej tyre, sipas një gazetari të agjencisë Reuters. Ata u dërguan me autobusë në periferi të qytetit, tha zëdhënësja e policisë Ramona van den Ochtend, pa konfirmuar saktë numrin e tyre.
Një protestues u dërgua në ambulancë i gjakosur.
Urdhëri për ndalimin e protestave, i cili u shty edhe për 4 ditë të tjera, pra deri të enjten, është në fuqi që prej së premtes, pas sulmeve ndaj tifozëve izraelite, pas mbarimit të ndeshjes mes ekipit Maccabi Tel Aviv dhe Ajax Amsterdam.
Të paktën pesë persona u plagosën gjatë sulmeve që autoritetet holandeze dhe udhëheqësit e huaj, përfshirë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cilësuam si antisemite.
Të dielën, Izraeli u bëri thirrje qytetarëve të tij që përgjatë javës së ardhshme të shmangin pjesëmarrjen në ngjarje kulturore dhe sportive jashtë vendit që përfshijnë izraelitët. Në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e kryeministrit Netanyahu thuhej se Izraeli kishte informacione nga shërbimet e fshehta se grupet pro-palestineze jashtë vendit, synonin të dëmtonin izraelitët në qytetet në Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë dhe të tjerë.
Zyra e Presidentit francez Emmanuel Macron njoftoi se ai do të jetë i pranishëm në stadiumin ‘Stade de France’, në ndeshjen futbollistike mes Francës dhe Izraelit, të enjten.
Gjesti i Presidenti Macron synon të dërgojë "një mesazh vëllazërie dhe solidariteti pas akteve të patolerueshme të antisemitizmit që pasuan ndeshjen në Amsterdam," tha zyra e tij.
NDALIMET
Në Holandë, organizatorët e protestës thanë përmes një mesazhi të shpërndarrë në rrjetin social Instagram se ishin të indinjuar që trazirat lidhur me ndeshjen u etiketuan si “antisemite” dhe dënuan vendimin për ndalim të protestave.
"Ne refuzojmë të lejojmë që akuza e antisemitizmit të përdoret për të shtypur rezistencën palestineze", thanë ata.
Katër persona vazhdojnë të jenë nën arrest nën dyshimet për akte të dhunshme, mes të cilëve dy të mitur. 40 persona janë gjobitur për shqetësim publik dhe 10 për shkelje të tjera përfshirë vandalizëm./VOA