Rusia ka grumbulluar një forcë të madhe prej dhjetëra mijëra vetash duke përfshirë trupat e sapo ardhura të Koresë së Veriut, për të kryer një sulm ndaj pozicioneve ukrainase në Kursk në ditët në vijim, tha një zyrtar amerikan sot për CNN.
New York Times raportoi sot se rreth 50 mijë trupa ruse dhe veri-koreane do të marrin pjesë në sulm.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se rreth 11 mijë ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen në rajon, ku inkursioni ushtarak tre-mujor i Ukrainës në territorin rus ka ngecur.
Raportet se Koreja e Veriut po dërgonte trupa në Rusi filluan të shfaqen muajin e kaluar, megjithëse të dy vendet i hodhën poshtë akuzat.
Koreja e Veriut ka një nga ushtritë më të mëdha në botë me 1.2 milion ushtarë, por shumica e trupave të saj nuk kanë përvojë luftarake.
Presidenti ukrainas tha nga Budapesti të enjten se liderët botërorë nuk po i dëgjojnë mjaftueshëm lutjet e tij për të lejuar Kievin të përdorë armë me rreze të gjatë, ndërsa përballet me një "valë të re përshkallëzimi" që përfshin "ushtrinë e një shteti tjetër në luftën kundër Ukrainës".
Ukraina pushtoi Kursk gjatë verës, duke tronditur Rusinë, në pushtimin e parë të vendit qe nga Lufta e Dytë Botërore.