Protesta në Paris kundër aktivitetit në përkrahje të Izraelit

Bota

Protesta në Paris kundër aktivitetit në përkrahje të Izraelit

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 20:12
Një protestues mban flamurin palestinez gjatë protestave kundër ndeshjes së futbollit të Ligës së Kampionëve ndërmjet Francës dhe Izraelit para fillimit të ndeshjes në pjesën veriore të Parisit më 14 nëntor, 2024/AFP

Në Paris u zhvilluan protesta kundër një aktiviteti të organizuar nga figurat e së djathtës ekstreme në përkrahje të Izraelit. Në aktivitet, që synonte mbledhjen e fondeve për ushtrinë izraelite, ishte ftuar Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich.

Protesta u mbajt në prag të një ndeshje futbolli që do të mbahet në stadiumin kombëtar të Francës kundër ekipit kombëtar të Izraelit, e cila do të zhvillohet në një kohë tensionesh për shkak të luftërave në Lindjen e Mesme. Autoritetet në Paris njoftuan se mbi 4 mijë policë dhe 1,600 punonjës të stadiumit do të dislokohen për lojën.

Ministri Smotrich, një përkrahës i zëshëm i vendbanimeve të kolonëve izraelitë, pritej të merrte pjesë në aktivitetin e së mërkurës, që mbante titullin “Izraeli është i Përjetshëm”, i cili u organizua nga një shoqatë që mban të njejtin emrin. Grupi thotë se qëllimi i tij është “mobilizimi i forcave zioniste franko-folëse”.

Pas kritikave të shtuara të ditëve të fundit, zyra e ministrit Smotrich konfimoi të mërkurën se ai nuk do të merrte pjesë në aktivitetin e Parisit.

Por ftesa drejtuar ministrit Smotrich u kritikua ashpër nga shoqatat vendase, sindikatat dhe partitë e krahut të majtë, duke nxitur dy protesta në kryeqytetin francez. Ministri, një drejtues i kolonëve që i takon vijës së ashpër, është akuzuar se po nxit tensionet në Bregun Perëndimor. Deklarata e tij ku ai u shpreh optimist se zgjedhja e Presidentit amerikan Donald Trump do t’i hapte rrugë aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli, hap që do të shuante ëndrrat për krijimin e shtetit palestinez - u dënua gjerësisht nga opinioni ndërkombëtarisht.

Ministria e Jashtme franceze i quajti deklaratat e ministrit Smotrich “në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar” dhe kundërproduktive ndaj përpjekjeve për të ulur tensionet rajonale.

“Franca përsërit angazhimin e saj për zbatimin e një zgjidhjeje me krijimin e dy shteteve, me një Izrael dhe Palestinë që jetojnë krah për krah me njëra tjetrën, në paqe dhe siguri, që është edhe mundësia e vetme për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Kritikët po ashtu iu referuan presidents së shoqatës “Izraeli është i Përjetshëm”, Nili Kupfer-Nauri, e cila vitin e kaluar kishte nxitur shqetësime, pasi pas fillimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, kishte postuar në rrjete sociale se “asnjë civil në Gazë nuk ishte i pafajshëm”.

Të mërkurën në mbrëmje, disa qindra protestues marshuan në rrugët qendrore të Parisit, duke e quajtur aktivitetin si një “mbrëmje të urrjetjes dhe turpit”.

“Imagjinoni sikur një shoqatë të organizonte një mbrëmje për Hezbollahun ose Hamasin – policia kurrë nuk do të kishte lejuar diçka të tillë”, tha protestuesi Melkir Saib. “Kjo situatë është thjesht e padrejtë”.

Marshimi ishte kryesisht paqësor, por protestuesit thyen dritaret në një restorant McDonald’s përgjatë rrugës.

Përkrahësit e një grupi tjetër, që përfshin organizata hebre të majta që kundërshtojnë racizmin dhe anti-semitizmin, u mblodhën në afërsi të Harkut të Triumfit, prej nga brohoritën parulla kundër Ministrit Smotrich.

Autoritetet franceze mbrojtën zhvillimin e aktivitetit. Shefi i policisë së Parisit Laurent Nunez tha se ai “nuk paraqiste kërcënim për rendin publik”.

Protesta e së mërkurës u organizua vetëm disa ditë pas protestave të ngjashme në Paris dhe Amsterdam lidhur me konfliktet në Lindjen e Mesme.

Një flamur i madh me mbishkrimin “Liri për Palestinën” u shfaq gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve ndërmjet ekipit francez Paris Saint-Germain dhe Atleticos së Madridit, ndërkohë që dhuna shpërtheu në Amsterdam javën e kaluar ndaj tifozëve të një klubi izraelit futbolli./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat