SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut bashkërendojnë përgjigjen ndaj kërcënimeve të Koresë së Veriut

Bota

SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut bashkërendojnë përgjigjen ndaj kërcënimeve të Koresë së Veriut

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 12:49
Foto ilustrim

Presidenti amerikan Joe Biden, do të takohet me udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe Japonisë të premten, për të diskutuar një përgjigje "të bashkërenduar" ndaj vendosjes së mijëra trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar luftën e Moskës kundër Ukrainës dhe për kërcënimin bërthamor të Phenianit. Takimi pritet të mbahet përgjatë punimeve të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Lima të Perusë.

Vendosja e trupave të Phenianit (në Rusi) është një "zhvillim i rëndësishëm", u tha gazetarëve këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, rrugës për në Lima.

“Ne do ta trajtojmë atë me seriozitetin me të cilin meriton të trajtohet”, tha ai.

Zoti Sullivan tha se takimi trepalësh do t'u mundësojë udhëheqësve të përgatiten për çdo lëvizje të mundshme "provokuese" nga Pheniani, përfshirë provat bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike, ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për një ndryshim të administratës kur Donald Trump të marrë detyrën në janar.

"Periudhat kalimtare kanë qenë historikisht periudha kohore kur DPRK ka ndërmarrë veprime provokuese", tha Sullivan, duke përdorur shkurtesën për emrin zyrtar të Koresë së Veriut, Republika Popullore Demokratike e Koresë.

Shtetet e Bashkuara kanë një politikë "parandaluese të gjerë" që synon të parandalojë kundërshtarët që të sulmojnë aleatët, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë. Politika thotë se Uashingtoni do t'u vijë në ndihmë nëse ata sulmohen, duke përfshirë potencialisht përdorimin e kapaciteteve bërthamore amerikane.

Udhëheqësit do të shpallin krijimin e një sekretariati si pjesë e përpjekjeve të tyre për të "institucionalizuar" bashkëpunimin trepalësh, që filloi si një seri dialogësh të udhëheqësve mbi sigurinë ekonomike, shkëmbimin e të dhënave të zbulimit dhe bashkërendimin e politikave të mbrojtjes. Diskutimet trepalëshe të udhëheqësve filluan në maj të vitit 2023 përgjatë takimit të G7-tës në Hiroshima të Japonisë dhe më pas në Camp David, në muajin gusht të atij viti.

Përpjekja trepalëshe është një nga nismat e Presidentit Biden për sigurinë rajonale në përpjekje për të nxitur Seulin dhe Tokion të tejkalojnë vitet e armiqësive dhe të punojnë së bashku për të penguar kundërshtarët e përbashkët, Korenë e Veriut dhe Kinën.

Forcat ushtarake amerikane, japoneze dhe koreano-jugore, nisën të enjten stërvitjet e përbashkëta në ujërat në jug të gadishullit Korean dhe në perëndim të Japonisë, stërvitjet e fundit nën administratën e Presidentit Biden.

Gjatë mandatit të tij të parë, ish Presidenti Trump mbrojti lidhje më miqësore me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe u bëri trysni Tokios dhe Seulit për të marrë përsipër një pjesë më të madhe të barrës së mbrojtjes nga SHBA-ja.

Një ditë para rizgjedhjes së zotit Trump, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut përmbyllën një marrëveshje të re që Seuli të paguajë 1.19 miliardë dollarë në vitin 2026 për të mbështetur trupat amerikane, një rritje prej 8.3 pë qind në krahasim me vitin e kaluar.

Koreja e Veriut kryen prova me dronë shpërthyes - Kim bën thirrje për prodhim masiv

Koreja e Veriut kreu prova me dronë shpërthyes të krijuar për t’u përplasur mbi objektivat dhe udhëheqësi Kim Jong Un bëri thirrje për përshpejtimin e prodhimit masiv të armëve, tha media shtetërore të premten.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve e Koresë së Veriut, publikoi foto të udhëheqësit Kim duke biseduar me zyrtarë pranë të paktën dy llojeve të ndryshme të mjeteve fluturuese pa pilot. Ato përfshinin ato me bishta dhe krahë në formë X që duken të ngjashme me ato që u shpalosën në muajin gusht, kur Kimi inspektoi një tjetër demonstrim të dronëve që shpërthejnë në përplasje.

Dronët fluturuan në rrugë të ndryshme dhe goditën me saktësi objektivat, tha agjencia KCNA. Pamjet e publikuara prej saj, treguan atë që dukej të ishte një makinë BMË që po shkatërrohej dhe modele të vjetra tankesh që po hidheshin në erë.

Kim Jong Un shprehu kënaqësinë me procesin e zhvillimit të armëve dhe theksoi nevojën për të "ndërtuar një sistem prodhimi serik sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për të kaluar në prodhim masiv”, duke vënë në dukje se si dronët po bëhen vendimtar në luftën moderne.

Agjencia KCNA citoi udhëheqësin Kim të ketë thënë se dronët ishin të lehtë për t'u bërë me kosto të ulët për një sërë aktivitetesh ushtarake. Raporti nuk thoshte nëse Kimi foli drejtpërdrejt për rivalen e tij, Korenë e Jugut, të cilën dronët e Koresë së Veriut me sa duket janë projektuar për ta shënjestëruar.

Koreja e Veriut muajin e kaluar akuzoi Korenë e Jugut për dërgimin e dronëve të saj për të hedhur fletëpalosje propagandistike kundër Koresë së Veriut mbi kryeqytetin Phenian dhe kërcënoi se do të përgjigjet me forcë nëse fluturime të tilla ndodhin përsëri. Ushtria e Koresë së Jugut ka refuzuar të konfirmojë nëse pretendimet e Veriut ishin apo jo të vërteta.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar ndërsa Kimi vë në pah programin e tij bërthamor dhe raketor të avancuar, i cili përfshin armë të ndryshme me aftësi bërthamore që synojnë Korenë e Jugut dhe raketa balistike ndërkontinentale që potencialisht mund të arrijnë truallin amerikan.

Kim gjithashtu dyshohet se po dërgon pajisje ushtarake dhe trupa në Rusi për të mbështetur luftën e Presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës, gjë që ngriti shqetësime në Seul se ai do të merrte teknologji ruse në këmbim, për të zhvilluar më tej arsenalin e tij.

Përveç kërcënimeve bërthamore në rritje, Kimi është përfshirë gjithashtu në luftë psikologjike dhe elektronike kundër Koresë së Jugut, duke dërguar mijëra balona për të hedhur plehra në Jug dhe duke ndërprerë sinjalet e navigimit GPS në zonat kufitare pranë aeroportit më të madh të Koresë së Jugut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat